Donald Trump ka një problem "të pakëndshëm".
Ndodhi përsëri (sigurisht që ndodhi) ditën e martë, në një konferencë shtypi. Kur Presidenti u pyet për zgjedhjen e kandidatit Joe Biden të Kamala Harris si zëvendësen e tij, ai u shpreh:
"Ajo ishte shumë, shumë e pakëndshme - një nga arsyet që më befasoi, ajo ishte shumë... ajo ishte ndoshta edhe më e pakëndshme sesa Pocahontas ndaj Joe Biden. Ajo ishte shumë mosrespektuese ndaj Joe Biden dhe është e vështirë të zgjedhësh dikë që aq mosrespektues.”
Kjo nuk është hera e parë që dëgjojmë këtë epitet për gratë nga ana e tij.
Vetëm një vit më parë, Trump e quajti kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen "të pakëndshme" pasi ajo e cilësoi interesin e tij për blerjen e Grenlandës "absurd".
Dhe në qershor të vitit të kaluar, Presidenti e quajti Nancy Pelosi-n një "person të pakëndshëm, hakmarrës, të tmerrshëm", pasi një intervistues i Fox News solli një raport të Politico për Pelosi-n që u thoshte demokratëve se do të preferonte ta shihte Trump-in në burg (Pelosi nuk e konfirmoi komentin).
Trump gjithashtu e ka përdorur epitetin "e pakëndshme" më herët në një intervistë me tabloidin britanik, The Sun, kur ai u pyet për komentet që Dukesha e Sussex, Meghan Markle, kishte bërë për të në vitin 2016, duke e quajtur Trump misogynist (paragjykues dhe përbuzës ndaj grave). "Unë nuk e dija që ajo ishte e pakëndshme. Shpresoj që ajo të jetë mirë," tha Trump.
Tani jemi mësuar me të folurën e Presidentit - ai është jopresidencial dhe i patakt.
Por "e pakëndshme" është ajo që bie në sy me njëfarë domethënie: Ai duket se e rezervon atë fjalë për gratë. Kujtoni që Trump e ndërpreu Hillary Klinton-in gjatë debatit të fundit të fushatës së tij presidenciale në vitin 2016 për ta quajtur "një grua të pakëndshme".
Që Trump zgjodhi të bënte të njëjtën fyerje ndaj Markle, ndërsa përpiqej të mbrohej kundër pretendimit të saj se ai është paragjykues e përbuzës ndaj grave. Kjo është ironike!
Që ai fyeu Pelosi-n në të njëjtën mënyrë, edhe pasi mori kritika për sa i përket Markle. Ai e bëri përsëri me kryeministren daneze...
Do të ishte mirë të mund ta injoronim këtë sjellje karakteristike të tij, në këtë pikë të presidencës së tij. Por është e rëndësishme që kurrë të mos bëjmë një vesh shurdh për diçka të tillë. Nëse do e bënim, do të thoshte të injoronim pasojat që kjo mund të sillte për gratë. Nga një paragjykues grash nuk mund të pritet që të pranojë diskriminimin dhe abuzimin, aq më pak të luftojë për udhëheqësit dhe legjislacionin që do të mbronte gratë nga kjo gjë. Dhe vendi duhet të kërkojë më mirë!
Në të vërtetë, pas dekadave të fitoreve feministe, besimi se gratë ekzistojnë për të përmbushur egot dhe dëshirat e burrave ishte duke u zhdukur, derisa Trump e ringjalli. Tani, Trump sinjalizon shumë shpesh përmes fjalëve dhe veprimeve se kjo gjë është e pranueshme. Merrni parasysh, për shembull, që disa nga këshilltarët dhe të emëruarit e Trump janë akuzuar se kanë lejuar abuzim ndaj grave ose përbuzjen ndaj tyre.
Sigurisht, Trump ka mbrojtur prej kohësh historinë e tij (shpesh shqetësuese) me gratë duke përmendur disa gra me të cilat ka qenë i rrethuar në kompaninë dhe administratën e tij. Kjo vërteton vetëm se ai nuk është seksist. Megjithatë, ai është misogynist (përbuzës ose paragjykues ndaj grave). Ka një ndryshim!
Trump ka punësuar një numër grash në poste shumë të larta. Këto përfshijnë këshilltaren e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway; vajzën e tij Ivanka Trump, këshilltare kryesore; dhe Gina Haspel, kreu i CIA-s.
Është edhe Barbara Res, e cila ka punuar në "Trump Organization" për më shumë se 10 vjet në role të ndryshme; dhe Louise Sunshine, e cila ka punuar për Trump në "Trump Organization" për 15 vjet dhe më vonë u bë nënkryetare ekzekutive e organizatës.
Këtyre grave të fuqishme u është dhënë një autoritet serioz – në këtë mënyrë ai ka treguar se nuk është seksist.
Por misogynia është tjetër gjë, siç vuri në dukje Markle. Misogynia përfshin ndëshkimin e grave që nuk veprojnë ashtu siç dëshirojnë burrat. Kjo është pikërisht ajo që bën Trump, dhe ai e bën këtë gjë publikisht. Ai e quajti Pelosi-n, Markle, Klinton - dhe tani Harris-- "të pakëndshme".
Ai e quajti ndihmësen e dikurshme Omarosa Manigault "qen" pasi ajo shkroi jo mirë për të. Ai tha gjëra të pakëndshme për gazetaren e Fox News, Megyn Kelly, pasi ajo i bëri pyetje të vështira gjatë një debati. Njësoj bëri edhe me Mika Brzezinski, pasi ajo e kritikoi.
Ai e quajti Rosie O'Donnell "derr". Ekzistojnë shumë më tepër raste të sulmeve personale të Trump ndaj grave që e kanë sfiduar, kryesisht sulme rreth pamjes dhe inteligjencës. (Kirsten Gillibrand-in e quajti "peshë e lehtë;" Arianna Huffington dhe Bette Midler "jo tërheqëse"; dhe Stephanie Clifford e quajti "fytyrëkalë").
Sigurisht, fyerje të tilla gjinore rrallë, ose më saktë asnjëherë, nuk u janë drejtuar burrave. Shumë njerëz gabimisht mendojnë se misogynia përfshin urrejtjen e të gjitha grave, por misogynistët mund t'i duan nënat e tyre. Gjithashtu motrat, vajzat, gratë, të dashurat, edhe sekretaret... Ata nuk urrejnë gratë në mënyrë universale. Ata kanë tendencë të urrejnë gratë që “ngrenë zërin”, ndër të tjera.
Meqenëse jemi mësuar me deklaratat e papranueshme të Trump, pse duhet të ketë rëndësi mënyra se si Presidenti flet për Mette Frederiksen, Nancy Pelosi, Meghan Markle, Hillary Clinton apo senatoren amerikane Jacky Rosen (të cilën Trump e ka quajtur “torollake”)?
Thjesht, sepse ai është personi me profilin më të lartë në Amerikë. Komentet e tij vendosin tonin për ligjërimin tonë kombëtar dhe për mënyrën se si të tjerët - përfshirë qytetarët e zakonshëm dhe qeverinë federale - i trajtojnë gratë në çdo fushë të jetës.
Ndërsa i afrohemi zgjedhjeve të vitit 2020, gratë dhe ata që duan të mirën e tyre duhet të mendojnë nëse është në interesin e tyre - dhe në interesin e vajzave (dhe djemve) të tyre - të mbajnë një misogynist të rreptë në Shtëpinë e Bardhë.
Opinion nga Kara Alaimo
Përshtatur nga CNN