Kur temperaturat rriten, gjithçka që duam është një model flokësh që nuk na bën vapë, është praktik dhe, njëkohësisht, duket stil. Pikërisht për këtë arsye, gërshetat rikthehen çdo verë si zgjedhja ideale, duke kombinuar rehati, elegancë dhe një pamje që nuk del kurrë nga moda.

Përveçse i mbajnë flokët larg fytyrës, qafës dhe shpatullave, gërshetat janë zgjidhja perfekte për ditët e nxehta, kur nuk duam të kalojmë shumë kohë para pasqyrës. Ato krijojnë një look të kuruar me shumë pak përpjekje dhe përshtaten lehtësisht si me një ditë në plazh, ashtu edhe me një darkë verore apo një event më elegant.

Nga gërsheti klasik, te modelet anësore, "fishtail", "box braids" apo versionet më romantike me onde natyrale, mundësitë janë të pafundme. Mund të eksperimentoni me teksturën, volumin dhe aksesorët, duke krijuar çdo herë një stil të ri që i përshtatet humorit, veshjes apo rastit.

Lajmi i mirë është se nuk duhet të jeni profesioniste për t'i realizuar. Në rrjetet sociale gjenden qindra video me udhëzime hap pas hapi, të cilat e bëjnë shumë të lehtë krijimin e një modeli të bukur edhe në shtëpi.

Madje, gërshetat janë edhe "shpëtimi" i ditëve kur flokët nuk janë në formën më të mirë. Nëse nuk keni pasur kohë t'i lani ose lagështia i ka bërë të elektrizohen e të fryhen, një gërshet i thjeshtë i mban flokët të sistemuar, kontrollon volumin dhe ju jep menjëherë një pamje të rregullt.