Fiona Ruli është një nga administratoret më të reja në moshë, të bizneseve, në Tiranë. Ashtu si dhe bizensi që ajo drejton, restorant “Veranda”. Hapur para disa javësh, ai është rezultat i shumë rrahje mendimesh fillimisht dhe një pune njëvjeçare intensive që pasoi më vonë. Dhe tani, Fiona sheh të realizuar një dëshirë të hershme për të pasur një aktivitet të sajin, që do i jepte pavarësi dhe përgjegjësi njëkohësisht, një nevojë që e ka ndjerë gjithmonë, ndoshta e ndikuar nga stili i jetës në Angli.

Ajo ka jetuar atje, që prej moshës 16 vjeç kur nisi studimet fillimisht në Oksford, e më pas në Londër ku u diplomua për Biznes Ndërkombëtar dhe Ligje në Kingston University. Megjithatë, një pjesë e Fionës e ka ditur gjithmonë që një ditë do të kthehej në Tiranë. Nuk humbi shumë kohë për të vënë në praktikë planin e saj dhe tani që e sheh të realizuar, megjithë lodhjen dhe përgjegjësinë që nuk hiqet nga priza në asnjë minutë të ditës, ajo po ndjen një emocion shpërblyes që nuk e kishte parashikuar. “Nuk paska kënaqësi më të madhe se kur sheh njerëzit që largohen duke qeshur dhe e di që pas asaj buzëqeshjeje është puna jote, e stafit tënd, e kujdesit ndaj detajeve dhe e kuzhinës së mrekullueshme që kemi.”


Është një kuzhinë me bazë italiane, ku picat piqen në furrë druri dhe klientët kanë të gjitha mundësitë për të kënaqur shijen, për t’u relaksuar dhe për të shijuar një koktej në verandë.

“Veranda është e vetmja e llojit të saj momentalisht në këtë zonë të periferisë së Tiranës, e cila është ndërtuar qoftë për t’u shërbyer klientëve të shumtë të TEG-ut, gjithashtu dhe banorëve të vilave të shumta të zonës përreth, por mbi të gjitha për qytetarin që do të largohet nga zhurma dhe smoku i Tiranës dhe të shijojë një vakt apo kafe në ambientet e brendshme apo në verandën tonë, që tani kur fillojnë e ditët e nxehta të verës, të kënaq me pamjen dhe freskinë që ka kjo zonë.”

Sipas Fionës, të gjithë pa përjashtim mund të vijnë te “Veranda” sepse për këdo ka një trajtim të përkushtuar. “Ne nuk kemi pasur për synim një target group të caktuar. Kushdo është i mirëpritur në lokal dhe kushdo e gjen veten. Qoftë një çift i dashuruar, për të cilët unë kam krijuar një kënd intim, qoftë familjet apo koorporatat, apo dhe një grup shoqëror që dëshirojnë të pinë një koktej dhe të relaksohen nën tingujt e muzikës, por mbi të gjitha familjarët, për fëmijët kam menduar në veçanti duke iu krijuar këndin e tyre të lojërave, duke u bërë një menu më vete me vizatime dhe lojëra për t’i mbajtur të stimuluar, me ushqime të shumëllojshme dhe pica me forma të ndryshme, apo karriget e bebave që u ofrojmë nënave të reja, të cilat nuk rreshtin duke na falenderuar, pasi është një komoditet që rrallë e gjen në lokalet tona.”
Mund të tregojë pa fund për këtë sipërmarrje. Pasioni nuk i mungon, vetëm kohën e ka me kursim. Kryesisht tani që aktiviteti është në fillimet e tij, detyrat janë të shumta. Merret me stafin dhe trajnimet, me klientët dhe furnizuesit, madje asiston vetë në raste të veçanta dhe sigurisht më tepër nga të gjitha i zë kohë ana administrative.

Megjithatë Fiona është duke jetuar ëndrrën e saj. Ajo ka pasur nevojë që adoleshente të ndihej e pavarur nëpërmjet një pune dhe është duke e realizuar. Vetëm që ky realitet ka dhe diçka të bukur në fund, buzëqeshjen e klinetëve.

