Takimet e punës janë mundësia ideale për të rritur dukshmërinë tuaj dhe për të fituar besimin e vendimmarrësve që ndikojnë në karrierën tuaj.

Por jo çdo pjesëmarrje në një takim ka të njëjtën vlerë. Mund të thuash diçka që vetëm mbush heshtjen, pa shtuar asgjë në besueshmërinë tënde, ose, edhe më keq, të lësh përshtypjen se nuk je i përgatitur ose je në mbrojtje.

Të duksh i zgjuar në një takim nuk ka të bëjë me përdorimin e fjalëve të mëdha apo termave të modës si "krijimi i sinergjive". Autoriteti vjen nga të menduarit qartë, nga aftësia për të parë panoramën e plotë dhe për ta çuar diskutimin përpara.

Komunikuesit më të mirë me të cilët kam punuar e kanë zotëruar artin e të folurit me zgjuarsi dhe vizion, pa u dukur sikur po përpiqen tepër. Ja katër strategji dhe shprehjet përkatëse që mund t'i përdorni edhe ju.

1. Bëni pyetjen që askush tjetër nuk po e bën

Nuk është e nevojshme të ndani idenë më revolucionare për t'u dalluar. Një pyetje e menduar mirë, e bërë me kuriozitet dhe qetësi, mund të zbulojë një supozim të gabuar, ta ngadalësojë diskutimin ose ta rikthejë bisedën në drejtimin e duhur.

Provoni të thoni: "Si lidhet kjo me atë që po punon ekipi i inxhinierisë?"
"Më duket se Isaaku dhe Ling po synojnë të njëjtin objektiv. A e kam kuptuar drejt?"

2. Përdorni me kujdes mbështetjen e të tjerëve

Njerëzit kanë prirjen t'u besojnë më shumë ideve kur dinë se edhe të tjerët i mbështesin. Kur prezantoni një propozim ose një zgjidhje, mund të përmendni se kolegë, drejtues ose klientë janë dakord me të. Për shembull: "Drejtuesi i produktit ishte në të njëjtën linjë me këtë ide." "Klienti tha se kjo ishte pikërisht ajo që kërkonte."

3. Lidheni idenë tuaj me prioritetet e drejtuesve

Çdo drejtues i vlerëson idetë duke pasur parasysh prioritete si ulja e kostove, shpejtësia, rreziku, rritja ose konkurrenca. Mendoni se për çfarë kanë folur më shpesh drejtuesit tuaj kohët e fundit.

Për shembull: Nëse drejtori operativ ka folur për thjeshtimin e proceseve, mund të thoni: "Ky është pikërisht lloji i efikasitetit që kemi synuar." Nëse zëvendëspresidenti është i fokusuar te konkurrenca, mund të shtoni: "Kjo na ndihmon të diferencohemi në treg."

4. Flisni për ndikimin tuaj me fakte konkrete

Përditësime të përgjithshme si "projekti po ecën mirë" ose "po bëjmë përparim" nuk mbeten në mendje. Përdorni shifra për ta bërë kontributin tuaj të prekshëm. Për shembull: "Gjatë 90 ditëve të fundit kemi lançuar funksione të reja për mbi 10 mijë klientë." "Tani jam përgjegjës për llogaritë e klientëve në pesë rajone të ndryshme."