
Jo çdo periudhë e vështirë në punë lidhet me depresionin. Të gjithë kemi ditë kur jemi më pak të motivuar, më të lodhur, më nervozë ose më pak socialë. Por kur këto sjellje bëhen e përditshmja jonë, mund të jenë shenja se po ndodh diçka më e thellë.
Depresioni nuk duket gjithmonë si trishtim. Ndonjëherë, sidomos në punë, mund të shfaqet si irritim, izolim, mungesë përqendrimi, lodhje, humbje interesi ose edhe si nevojë për të punuar më shumë se zakonisht.
Sipas terapistëve të cituar nga HuffPost, këto janë disa zakone pune që mund të jenë depresion “i maskuar”.
1. Po punon më shumë se zakonisht për të shmangur jetën jashtë punës
Për disa njerëz, depresioni nuk shfaqet si tërheqje totale, por si hiperfunksionim. Ata vazhdojnë të jenë produktivë, të përgjegjshëm, madje mund të duken më të përkushtuar se kurrë.
Dikush mund të marrë më shumë detyra, të qëndrojë më gjatë në zyrë, të pranojë projekte të vështira ose të kërkojë udhëtime pune, jo domosdoshmërisht nga ambicia, por sepse puna bëhet mënyrë për të mos u përballur me atë që po ndodh në jetën personale.
2. Dikur ishe social/e, tani shmang çdo kontakt
Nëse dikur merrje pjesë në mbledhje, flisje me kolegët, dilje për kafe pas pune ose përgjigjeshe shpejt në mesazhe, ndërsa tani shmang gjithçka, kjo mund të jetë një shenjë.
Izolimi është një nga mënyrat si depresioni mund të shfaqet në ambientin e punës. Mund të duket si heshtje në mbledhje, mungesë në aktivitete, vonesa në kthimin e email-eve, shmangie e telefonatave ose thjesht dëshirë për të mos folur me askënd.
Ndonjëherë njerëzit e interpretojnë këtë si “jam thjesht i/e lodhur”, por nëse zgjat, ia vlen t’i kushtohet vëmendje.
3. Nuk i përfundon detyrat brenda afateve
Kur gjërat që dikur i bëje normalisht fillojnë të duken të pamundura, mund të mos jetë vetëm mungesë disipline. Depresioni mund të ndikojë te përqendrimi, energjia, kujtesa dhe aftësia për të nisur apo përfunduar detyra.
Mund të vonohesh më shpesh, të flesh përtej alarmit, të humbasësh afate, të shtysh punët ose të ndihesh i/e bllokuar përpara detyrave që më parë i menaxhoje.
Kjo nuk do të thotë automatikisht se ke depresion, por nëse ndodh vazhdimisht dhe shoqërohet me lodhje, vetëkritikë ose ndjesi faji, është një sinjal për të kërkuar mbështetje.
4. Je më nervoz/e se zakonisht
Në punë, kjo mund të duket si reagime të forta për gjëra të vogla, mungesë durimi me kolegët, nervozizëm ndaj klientëve, zemërim ndaj email-eve, apo ndjesia se çdo gjë të bezdis.
Nëse dikur nuk reagoje kështu, por tani ndihesh sikur “çdo gjë të acaron”, mund të jetë momenti të shohësh çfarë po ndodh përtej punës.
5. Nuk të intereson më puna që dikur të pëlqente
Ka një ndryshim mes një detyre të mërzitshme dhe humbjes së vazhdueshme të interesit. Nëse puna që dikur të jepte kënaqësi tani të duket bosh, e rëndë ose pa kuptim, kjo mund të jetë shenjë e depresionit.
Mund ta gjesh veten duke parë ekranin pa bërë asgjë, duke u shtirur si i/e zënë, duke shtyrë projektet e rëndësishme ose duke menduar vazhdimisht: “Nuk më intereson më”.
Humbja e kënaqësisë nga gjërat që më parë të pëlqenin është një nga shenjat më të njohura të depresionit.
