Ajo në fakt jeton dy botë të ndryshme nga njëra-tjetra, në njërën si superstar, ndërsa në tjetrën mund të ecë në rrugë pa e njohur njeri. Amy Jackson është një aktore indiane, e cila është konsideruar si Angelina Jolie e Bollywood-it. Është vetëm 23 vjeç dhe ka mijëra fansa që i shkruajnë pa fund letra dashurie dhe i propozojnë për martesë.

Sa herë që kthehet në qytetin e saj të lindjes, në Liverpool (Angli), Amy Jackson ndihet si një njeri fare i zakonshëm që mund të kalojë rrugën pa e njohur askush, ama është histori krejt tjetër kur transferohet në shtëpinë e saj të re në Mumbai (Indi), aty ku e njohin të gjithë dhe është po aq e famshme sa Angelina Jolie apo Cameron Diaz. Ajo ka një staf po aq të madh sa aktoret në Hollywood, duke përfshirë stilistin, make up artist-in, asistentin personal, kuzhinierin apo shoferin. Po ashtu, Amy jeton në një nga lagjet më të pasura të Mumbait.  

Në një intervistë për britaniken “Daily Star”, 23-vjeçarja thotë se e nisi karrierën si aktore, pasi një regjisor në Bollywood u dashurua me pamjen e saj të jashtme.

Jackson ka luajtur role kryesore në disa prej filmave më të famshëm në Bollywood (industria e filmave indianë) dhe është një superstar i vërtetë.

Tani ajo është duke xhiruar filmin e ri, buxheti i të cilit kap shifrën më të lartë të filmave indianë. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë aktorja, e cila shton se ky projekt ka shënuar shifra marramendëse deri tani: “Po, është filmi më i shtrenjtë i xhiruar deri më tani në Bollywood,- thotë Jackson,- dhe për mua është shumë special. Ka kushtuar plot dy vjet e gjysmë dhe unë kam lënë shpirt e zemër në këtë film.”

Sipas Amy-t, të jesh pjesë e një kasti filmi në Bollywood është vërtet çmenduri, sepse “ne punojmë 20 orë në ditë me qindra njerëz. Është kaotike, por edhe emocionuese në të njëjtën kohë”, - rrëfen ajo për “Daily Star”.

Imaxhi i saj ka pushtuar të gjithë billboard-at e kinemave dhe rrugëve të vendit. Jo keq për një vajzë të re nga Liverpuli.