E ftuar në emisionin e Sonila Meços në Agon Channel, “Kontrata”, këngëtarja Irma Libohova tregoi jetën e saj që nga fëmijëria. Me origjinë nga një familje fisnike, gjyshi i saj u persekutua dhe ky fat ndikoi për vite me radhë jetën e pasardhësve, duke bërë që dhe Irma Libohova, me gjithë vokalin e rrallë të mos pranohej në Akademinë e Arteve. Në atë kohë, pasi përfundoi Liceun Artistik “Jordan Misja”, Irma duke pasur edhe motra e vëllezër më të vegjël, duhej të punonte. Ajo tregoi që ka bërë punë të ndryshme nga rrobaqepësia te puna në ndërmarrjet e gjelbërimit, por edhe figurante e këngëtare në koncerte të ndryshme derisa u ngjit në skenat e Festivaleve të këngës.

Një fat që e ka ndjekur gjithashtu, është dhe ai i mungesës së çmimeve, krahasuar me suksesin që kishte ajo si këngëtare dhe këngët që ka kënduar. Edhe një herë kur fitoi çmim të parë me Eranda Libohovën, ngelën fituese vetëm për një natë, sepse të nesërmen u shpall që çmimi iu ishte dhënë gabimisht sepse nuk ishin numëruar mirë votat. Atë vit çmimin e parë e fitoi Aurela Gaçe, pasi vetë kryetarja e jurisë Vaçe Zela, doli në një prononcim për të sqaruar vendimin.

Megjithatë Irma tha që nuk ka asnjë hatërmbetje dhe insertet e përgatitura, treguan që edhe kolegët e saj këngëtarë kanë të njëjtën dashamirësi ndaj figurës së Irmës.

Bashkë me kohën e vështirë të mospranimit në shkollë të lartë, Irma ka jetuar edhe fillimin e historisë së dashurisë, me djalin që prej 32 vitesh është bashkëshorti i saj, aktorin Besnik Kaso.

“Në fillim e kisha parë në xhiron e Tiranës, në bulevard, te Hotel Dajti. Besniku kishte shumë shije për t’u veshur, mbante disa këmisha me ngjyra të forta, syze dielli dhe ndonjë libër, mësonte frëngjisht në atë kohë dhe nisëm të “mësonim” të dy më vonë”.

Ata janë njohur nga afër në Ansambël dhe kanë kaluar  kohë bashkë derisa u martuan. Ka qenë një dasmë në oborrin e shtëpisë, ku Irmën e bënë nuse shoqet dhe këndoi vetë. Ajo tregoi që gjatë këtyre viteve, Besniku, përveç humorit të tij origjinal, ka pasur meritën që ka bërë lëshime dhe e ka përkrahur Irmën në karrierë, sepse nuk është e lehtë për çdo mashkull të jetë në hije ndërsa partnerja është e njohur nga të gjithë. Ata kanë një djalë, Ataol, sipas emrit të një poeti turk që Irma lexonte në vitet e rinisë.

Ataoli është i martuar, ka studiuar Financë dhe drejton një shtëpi botuese e kafe-librari. E pyetur për rolin e vjehrrës, Irma tha që sot vjehrrat janë moderne dhe dinë të ruajnë marrëdhënien afër dhe larg. E nëse nuk e besoni, mjafton ta shihni, pak të tjera mund të  jenë moderne sa ajo! Sa për këngën, tha që ajo e ka shoqëruar në çdo etapë të jetës, edhe në ditët me dhembje dhe ato të gëzuara, por gjithmonë ajo ka dashur që te publiku të përcjellë lumturi dhe nuk do heqë dorë kurrë sepse, siç tha me humor, punon me vetëkarikim.