Për të tretin vit Info Media Albania sjell IMA AWARDS, çmimet që vlerësojnë personazhet dhe programet televiziv gjatë një viti.
Duke filluar nga 20 Mars 2015 deri në datë 20 Prill 2015 publiku ka pasur mundësi të votojë online në portalin e IMA për të përcaktuar fituesit e çmimeve si për televizionet shqiptare ashtu dhe për ato kosovare. Pesëdhjetë kanë qenë kategoritë e çmimeve për të cilat është votuar, të ndara në çmimet e Televizionit Shqiptar dhe Televizionit Kosovar, nga kanë dalë edhe fituesit e këtij edicioni.
Në çmimet për televizionit shqiptar këtë vit kryeson televizioni Top Channel, që përveç çmimit si “Televizioni më i Mirë Gjeneralist”, me personazhet si Ledion Liço (Prezantuesi më i Mirë), Isli Islami (Spikeri më i Mirë i Lajmeve) dhe formatet MasterChef (Formati Risi më i Mirë), Fiks Fare (Formati Investigativ më i Mirë), Portokalli (Formati i Humorit më i Mirë), The Voice (Formati Talent Show më i Mirë) etj. është mbreti i këtij edicioni. Pas tij vijnë TV Klan me Alketa Vejsiun si Prezantuesja më e Mirë, Opinion (Formati më i Mirë i debatit dhe Politikës), Takimi i Pasdites (Formati më i Mirë i Pasdites), Bidai (Telenovela më e Mirë) dhe Vizion Plus me Eraldo Rexhon si Autori më i Mirë i Programit, Bypass Show (Formati më i Mirë i Satirës) si dhe serialet e suksesshëm Lugina e Ujqërve (Seriali Turk më i Mirë), Scandal (Seriali Dramë më i Mirë). RTSH është vlerësuar me dy çmime për Eventin e Vitit, Fest 53 dhe Formati më i Mirë Showbiz, Gjithçka Shqip.

Një çmim i ri këtë vit ka qenë ai për Televizionin Lokal më të Mirë, i fituar nga Channel One. Televizioni A1 Report për të dytin vit radhazi është shpallur si Televizioni Informativ më i Mirë. MAD Albania, televizioni muzikor që solli risi në tregun mediatik shqiptar është vlerësuar me çmimin Televizioni më i Mirë Muzikor dhe për Personazhin zbulim prezantuesen Fatma Methasani. Gazetarja dhe prezantuesja Sonila Meço me programin Kontrata ka çuar në shtëpinë e Agon Channel çmimin Talk Show më i Mirë.

Çmimin special këtë vit stafi i IMA ka vendosur t’ia jap Ambra Medas për mesazhin e fortë dhe sensibilizues që ajo dha dhe vazhdon të përcjellë tek publiku për luftën dhe mposhtjen e sëmundjes së kancerit.
