E veshur me blu, ngjyrën e saj të preferuar, me një siguri ngjitëse, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, foli dje, si pak herë, në programin “Persona grata” të TVSH-së, ministrja për jetën e saj private, fëmijërinë, familjen, karakterin dhe pasionet e saj.
Ajo tregoi që tashmë bashkëjeton prej 28-29 vitesh me bashkëshortin, babain e djalit, por duhen njëlloj si ditën e parë. “E ruaj dashurinë me mënyrën si sillem, që nuk është një mënyrë pa emocione, as banale, është një mënyrë intriguese. Unë kam emocione të forta dhe i shfaq dhe gjithmonë i jam dedikuar familjes. Bëj rolin e gruas, nënës. Nuk sjell në familje ministrin.”
Duke folur për angazhimin në familjen e saj, ku jeton me të ëmën, bashkëshortin dhe djalin, ajo tha që në të përditshmen, luksi i saj është që mëngjesin e përgatit bashkëshorti dhe drekën e ëma, megjithatë në raste festash, kur ftojnë miq, gjithmonë me mbështetjen e së ëmës, është ajo vetë që gatuan. “Gatuaj mirë. Kam mësuar shumë nga gjyshja ime përmetare që përgatiste kryevepra, i kam kombinuar ato sekrete dhe me receta ndërkombëtare, por nuk mund të them që gatimi është pasioni im. Pasionet e mia janë sporti, arti, librat”. Ajo ka pasur fatin të jetë nuse në një familje artistësh, pasi vjehrri isaj është një nga piktorët më të njohur në Shqipëri dhe pasionet e saj për sportin dhe artin janë zhvilluar edhe më shumë në këtë familje pritëse.
Ministrja, e kthyer vite më pas, tregoi që ka qenë fëmijë i qetë. “Kurrë nuk u kam shkaktuar shqetësime prindërve, vetëm kur jam sëmurur”, megjithatë “vajza e babit” ka pasur gjithmonë prirjen për të drejtuar. “Nuk e di sa domethënëse është, por unë në tetëvjeçare kam qenë kryetare çete në shkollë që në klasë të gjashtë madje”.
Mimi tha gjatë programit që beteja më e vështirë është me veten, por e rëndësishme është t’ia njohësh defektet. Ajo pranoi që kokëfortësia është ai defet që nuk ka arritur ta ndryshojë me vite, ndërsa ndershmëria virtyti kryesor në raport me këdo.
Duke iu kthyer e rikthyer vazhdimisht rëndësisë së skajshme të djalit në jetën e saj dhe vetë mëmësisë, Mimi Kodheli tha që gabimi i saj më i madh që nuk mund të korrigjohet është që nuk lindi më shumë sesa një fëmijë. “Ashtu ishin rrethanat”, tha ajo duke shtuar që shpreson që një ditë të bëhet me shumë nipër. Djalin e quajti kryeveprën e saj.
E pyetur për mundësinë për t’ju drejtuar kirurgut plastik për të fshehur shenjat e moshës, Kodheli u përgjigj që nuk do donte t’I drejtohej kurrë asnjë kirurgu. “Rrudhat tregojnë që e kam jetuar jetën. Që e kam vrarë mendjen, që kam vuajtur, por edhe që kam qeshur. Që jam humane, jo manekin. Do i mbaj sepse më rrinë mirë.”
Mimi Kodheli është e para ministre Mbrojtjeje grua në Shqipëri. Ajo tha që roli i ministres ishte një vazhdim natyral i rolit të saj në politikë, por nuk fshehu që dhe ajo vetë në fillim nuk e besoi kur kryeministri ia komunikoi për herë të parë. “Në fillim mendova mos po bënte shaka, por këto nuk janë gjëra që bëhen shaka”, tha ajo. Dhe pse në një mjedis të konsideruar të ftohtë e të rreptë, ministrja ka vënë edhe shpirtin prej nëne. Ajo tregoi që në mjediset e zotëruara nga ministria e Mbrojtjes do gjej vend një kopësht specifik për fëmijët me nevoja të veçanta të personelit. Edhe pse e quajnë vazhdimisht grua e fortë, ajo me po aq këmbëngulje e kundërshtoi këtë përcaktim. “Sa e fortë jam, aq kam pikat e mia të dobëta. Edhe unë qaj si çdo njeri tjetër, me një dhembje, apo me një film”. Megjithatë ajo është e vendosur, e prerë, që ndjek rregullat, por frikë, nuk ka askënd. “Frikë kam vetëm Zotin”, tha ajo.
