Gazetari dhe moderator i njohur i Top Channel, Sokol Balla, pas publikimit të videos intime pak kohë më parë në disa media kosovare dhe shqiptare, ka paditur disa prej këtyre të fundit. Drejtuesi i “Top Story”, siç deklaroi edhe publikisht pasi u bë viktimë e videos, do ta ndjekë çështjen deri në fund për zbulimin e autorëve, por edhe për të gjithë ata që kanë cënuar dinjitetin e tij. Së fundi, Balla i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, në mënyrë që disa media online të heqin nga faqet e tyre materialin, ku ai shfaqej në momente intime. Konkretisht, Balla i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës që t’i detyrojë portalet City.FM, Lapsi.Al dhe Telegrafi shpk që të ndalojnë publikimet dhe të heqin materialet e publikuara në të gjitha formatet, të cilat janë cënuese të jetës private të paditësit. Materiali i publikuar në media pati ndikim mjaft të madh edhe në public, ndërsa vetë gazetari u shpreh se u bë viktimë e një komploti ndërkombëtar, duke aluduar edhe se në gjithë këtë ngjarje, përveç njerëzve të përfshirë në Shqipëri, mund të kishin gisht edhe të tjerë në Kosovë. Çështja vijon të ndiqet nga gjykata.


