Aktori i njohur Arben Derhemi, i cili njihet nga të gjithë me emrin e dytë si Flori nga seriali “Njerëz dhe fate”, transmetuar nga TVSH në fillim të viteve 2000, ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në programin “Xing me Ermalin” për të rrëfyer për projektin e tij të ri në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Rrno për me tregue”, monodrama e bazuar mbi veprën monumentale të At Zef Pllumit, është ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental që nga 2 nëntori. Derhemi, nën petkun e priftit françeskan, përcjell mesazhin e një vepre të përjetuar dhe të konsideruar si ndërgjegjja e kohës.

Përveç ftesës së të gjithëve për ta parë shfaqjen, Derhemi përballë Ermalit ka folur edhe për problematikat që ka tetari sot. Ai thotë se teatri me këto kushte pune është në vështirësi të mëdha dhe me kontrata njëvjeçare nuk mund të vazhdohet: “Teatri ka problematika shumë të mëdha. Me kontrata njëvjeçare nuk mund të vazhdohet. Si mund ta mbajnë familjen aktorët vetëm me kontrata dhe me projekte? Për më tepër, një aktor nuk mund të mbajë familjet në këto kushte, sa herë ndërrohen pushtetarët apo “gomarët”, se çdo pushtet e ka nga një “gomar” – tha Derhemi.

Gabimi më i madh i Derhemit, siç e quan ai vetë, është që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ndonjë partie politike: “Po ti qenke si pa prindër”, – ia kthen Ermali me ironi duke nënkuptuar se, si të gjitha fushat e tjera, edhe për teatrin problematika kryesore është përfshirja nga ngjyrimet politike.

Në shumë prej pyetjeve që Ermali lexoi për Derhemin, pyetjes se pse nuk është realizuar “Njerëz dhe fate 2”, aktori iu përgjigj: “Më mirë s’po i përgjigjem fare kësaj pyetjeje, sepse në këtë vend nuk bëhet asgjë."