Apartamenti “është zgjeruar”. Tashmë “Grand Hotel 2XL” i ka hapur dyert dhe pret vizitorë nga të gjitha anët e globit. Është një vend që gjendet kollaj, të martën në mbrëmje, në ekranin e Vizion Plusit. Një program që i ofron publikut situata dhe ngjarje me shijen e humorit, në një dimension tjetër.

Një vendtakim karakteresh, personazhesh, historish dhe ngjarjesh nga e përditshmja. Ky është holli i “Grand Hotel 2XL”, një teatër karakteresh, një vend ku përplasen mendimet dhe ndizen debatet, një vend ndryshe nga të tjerët…

Fabula është e thjeshtë: një hotel me një staf “të çmendur”, ku gjithçka i ndodh gjithkujt, falë situatave komike që vijnë natyrshëm, kur në hotel punojnë “profesionistë” . Një staf që nuk bën atë që duhet, një pronar i fiksuar pas parave dhe vizitorë të papritur të çdo shtrese që bëhen pjesë e lojës dhe batutave.  Kushdo që vjen për të pushuar s’mund të jetë i qetë dhe as rehat në një vend ku provokohen lloj-lloj situatash.  

Erand Solji është një emër i njohur për publikun, i cili është bërë pjesë e hotelit, së bashku me emra të tjerë, si Herjon Mustafaraj, aktori i njohur i “Beni ecen vetë”.

I ftuari i mbrëmjes do të jetë sërish pjesë e show-t. Dy “viktimat” e para të hotelit kanë qenë modelja Aurela Hoxha dhe moderatorja Klea Huta.

Siç ka deklaruar edhe pak javë më parë, producenti i këtij programi, Turjan Hyska, “Grand Hotel” do të ketë një rrjedhë krejt tjetër, aspak të ngjashme me “Apartamentin 2XL”. Ky i fundit, sipas Turit, është mbajtur vetëm për komercializëm.