Aktorja turke, Tuba Büyüküstün, e cila është e njohur për rolet e saj jo vetëm në Turqi e Ballkan, por është bërë e famshme edhe në botën arabe, së fundi është vlerësuar me çmimin “Aktorja më e Mirë” në çmimet ndërkombëtare “Giuseppe Sciacca”, një nga vlerësimet më të rëndësishme të Vatikanit. Nëpërmjet një deklarate për shtyp të disa ditëve më parë, aktorja është lajmëruar se ishte nominuar në kategorinë e “Aktoreve të Reja”, në fushën e kinemasë dhe teatrit.

Ceremonia është mbajtur në Universitetin “Urbaniana” në Vatikan, më 7 nëntor.

Sipas deklaratës së bërë publike edhe në mediat turke, Büyüküstün ishte aktorja që e meritonte më shumë këtë çmim, duke vlerësuar talentin në aktrim, por edhe karakterin e saj bamirës. Siç dihet, vitin e kaluar, Tuba është shpallur ambasadore ndërkombëtare e UNICEF-it për Turqinë. Shumë prej të ardhurave nga projektet e saj artistike, aktorja i ka dhuruar për bamirësi.  

Giuseppe Sciacca, emrin e të cilit mban çmimi i fituar nga Tuba, ishte një student arkitekture, i cili vdiq gjatë një ceremonie fetare në moshën 26-vjeçare. Emri i tij iu dha një organizate për të vlerësuar të rinj të talentuar deri në moshën 35-vjeçare, të cilët janë të suksesshëm në fusha të ndryshme të shkencës dhe të artit.

Në vitin 2012, aktori turk Murat Yıldırım mori çmimin si "Aktori më i Mirë" dhe në 2013, aktori Burak Hakkı ishte i ftuar në ceremoni për të prezantuar një çmim.