Në kategorinë e filmave të shkurtër më të mirë, filmi kosovar-britanik nuk ia doli të fitonte çmimin Oscar, por kur fiton të gjithë të duan. E rëndësishme është mbështetja edhe kur nuk ia del dhe filmit “Shok” kjo nuk i ka munguar sepse edhe nominimi vetë ishte një arritje shumë e madhe.
Filmi “Shok” është mbështetur në ngjarje të vërteta në Kosovën e vitit 1998 dhe në të flitet shqip dhe serbisht në dialogët me ushtarët serbë.
Ja çfarë shkruan ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell:
Filmi ynë nuk fitoi sot, por ndonjëherë miqtë e mi kosovar bëjnë ndonjë gjë që më bën të ndihem i privilegjuar që jam Ambasadori britanik në Kosovë.
Kur u shpall filmi më i mirë i shkurtër Live, salla shpërtheu në urime dhe duartrokitje. Duartrokitje për fituesin. Dhe urime për arritjen e mrekullueshme të krijimit të një filmi si Shok që i dha botës një sens për jetën në Kosovë në vitin 1998.
Dhe falë atij momenti, unë ndihem i lumtur.

Aktorja me origjinë shqiptare Eliza Dushku ka përshëndetur filmin “Shok” nga Ohio me një foto inkurajuese për shqiptarët.

Edhe kryetari i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku ka shkruar për protagonistët. "Lum Veseli Andi Bajgora Eshref Durmishi Jamie Donoughue Harvey Ascott na e keni zbardhe fytyren ‪#Proudofyou‪#SHOK‪#Kosovo"

Në faqet e dy aktorëve të rinj kosovar të quajtur “freskia e tapetit të kuq” të Oscarve, Lum Veselit dhe Andi Bajgoras dhe producentit, urimet nuk reshtin.
Arben Zharku kishte postuar më herët edhe një video me këngën “Xhamadani vija vija” ku vargut “është Kosova, është Shqipëria” i shtojnë me humor “Edhe Anglia”, si vendlindja e regjisorit Jamie Donoughue dhe vendi që ka kontribuar në realizimin e filmit.




