
Është një histori e gjatë ku janë përfshirë prej vitesh Leonard Bombaj dhe Stresi. Këngëtari është mik i Ajsi Xhaxhajt e cila e ka akuzuar për abuzim Bombaj disa vite më parë.
Gjykata ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke dënuar në atë kohë Ajsin, Stresin dhe një grup djemsh të tjerë të përfshirë në ngjarje. Dhe pse ligjërisht e mbyllur, çështja nuk është harruar. Vetëm pak kohë më parë Stresi i hodhi një kovë me ujë Leonard Bombaj, teksa ai po bënte prova në një shkollë të Tiranës për rekordin Guinness, që Shqipëria e fitoi më pas me Song Cup Albania.
Dhe pse të takuar sërish në një situatë konfliktuale, Stresi është shprehur më pas, që do dëshironte ta kishte shok Leonard Bombaj. Leonard Bombaj ka folur për episodin dhe deklaratën e Stresit.
“Meqë paska thënë që do të më ketë shok të vijë në shtëpinë time sepse ai e di mirë, por jo vetëm, të vijë me familjen, me prindërit dhe të flasim…”, tha Bombaj në programin Xing me Ermalin duke e pranuar flamurin e paqes nëse plotësohet ky kusht, por edhe duke kujtuar historinë e vjetër ku i kërcënuari ka qenë ai.

Sipas provave të pranuara nga gjykata, Stresi me katër djem të tjerë dhe Ajsin kanë qenë, në kohën kur Ajsi nxori akuzën, në shtëpinë e Leonard Bombaj ku e kërcënuan me armë për t’i marrë paratë.
Të gjitha këto janë të vërtetuara tashmë.
