Kur të gjithë u drejtohen partnerëve me fjalët “Faleminderit për dashurinë që më dhurove!”, djali më i spikatur i Big Brother 9, Olsi Klosi, i shpreh mirënjohjen Fjorentinës në mënyrën e tij unike: “Faleminderit për xhelozinë që më dhurove!”. U njohën në audicione dhe aq shpejt ndjenë kimi me njëri-tjetrin sa vendosën të hynin në lojën e Big Brother si çifti “Çmenduria dhe pasioni”. Të shkathët, me sens humori dhe të hapur janë Olsi dhe Fjorentina edhe në jetën jashtë kamerave. Pavarësisht se si çift i fortë nuk mundën dot të rrëmbenin çekun prej 100 milionë lekësh, ata ndihen të lumtur që kanë fituar njëri-tjetrin.

Për skenat e xhelozisë së Fjorentinës, takimin me familjen e saj, pushimet çift, planet ose jo për martesë dhe rëndësinë që ka seksi në lidhjen e tij, 27-vjeçari i pasionuar pas futbollit i rrëfen në një intervistë për gazetën Panorama. “Një lidhje të çmendur” e specifikon ai lidhjen me Fjorin, ndërsa bashkimin e tyre, Olfin, siç e njohin të gjithë, si një bashkim që ecën pa plan e që e shijon jetën si t’i vijë.

Fjorin, Olsi e përshkruan si vajzën me karakterin më të fortë që ka njohur, ndaj lidhja me të duket se po i shijon edhe jashtë shtëpisë së Big Brother. Çifti janë takuar edhe me familjet, siç tregon Olsi, por plane për të ardhmen nuk kanë bërë, sepse është ende herët.

Për momentin Olsi dhe Fjorentina po planifikojnë pushimet së bashku, por nga çmenduritë nuk kanë ndër mend të heqin dorë. Si çifti që e mori emrin “Çmenduria dhe pasioni”, këtë verë ata do të vazhdojnë të bëjnë çmenduri. I pyetur për çmenduritë e kësaj vere, Olsi përgjigjet: “Hmmm duke udhëtuar me autobus dhe duke u puthur, ose duke bërë seks në ndonjë taracë plazhi…”