Një tërmet i ri mjaft i fuqishëm tronditi sonte, në orën 19:53 rajonin e Shkupit, njofton GazetaExpress.
Tërmeti ka qenë me fuqi 4,8 ballë sipas shkallës së Rihterit. Epiqendra është vetëm katër kilometra në veriperëndim të Shkupit, në thellësi prej 5 kilometrash.
Shkupin po e lëkundin tërmete që nga mëngjesi i djeshëm, ndërsa ky është i dyti më i fuqishmi pas atij të pasdites së djeshme, që kishte fuqinë 5,3 ballë.
Që nga mëngjesi i djeshëm, rajonin e Shkupit e kanë goditur rreth 15 tërmete. Kjo ka shkaktuar shqetësim të madh te popullata lokale.
Janë raportuar dëme të shumta, ndërsa shumë njerëz që nga dita e djeshme po hezitojnë të kthehen në shtëpitë e tyre dhe po e kalojnë edhe natën e dytë në qiell të hapur.
gazetaxpress.com