Briken Fejzullai është kryetari i dytë i sapoemëruar i Bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj, mbrëmjen e djeshme ka emëruar kryebashkiakun e natës në kryeqytet, në ambientet e Piramidës. Fejzullai do të ketë për detyrë të promovojë mundësitë që ofron kryeqyteti, jo vetëm gjatë ditës, por edhe në orët e natës, meqenëse Tirana është është një qytet që nuk fle.

Kështu, Tirana radhitet midis pesë qyteteve të Europës që kanë një kryetar bashkie për natën. Gjatë prezantimit të Fejzullahit, Veliaj tha ndër të tjera, se tashmë kryeqyteti ynë u ngjan kryeqyteteve më në zë si Amsterdami, Zyrihu apo Londra: “Siç ndodh në Amsterdam, në Zyrih apo në Londër, ai do të merret vetëm me promovimin e ekonomisë së natës. Kemi premtuar një qytet që punon me tre turne, por edhe që jeton me tre turne. Në shumë prej vendeve të botës ekonomia e natës, pra e festave, e lokaleve, gjeneron pa fund të ardhura dhe vende pune, kryesisht për të rinjtë, studentët. Ndaj, duam që kjo të ndodhë në mënyrë të përgjegjshme, të ketë një kryebashkiak nate që rri zgjuar në turnin e tretë dhe menaxhon vetëm këto lloj aktivitetesh”,- tha Veliaj.