Nesër, zyrtarisht me pushime? Atëherë jeni me fat, sepse keni gjetur kohën perfekte. Kapriciove të korrikut u erdhi fundi. Muaji gusht, sipas meteorologëve, do të jetë ideal për bregdetin. Kështu, sipas Meteoalb, java e parë e muajit gusht do të ushqehet nga masa ajrore të nxehta të kontinentit afrikan, të cilat rritin ndjeshëm temperaturat mbi Shqipëri. Periudha deri më 5 gusht do të shënojë vlerat termike më të larta të vitit 2018.

Java e parë e gushtit sjell temperatura të larta në territorin shqiptar, ku gjatë orëve të mesditës vlerat termike do të variojnë nga 30 - 36°C në zonat malore (maksimumet në verilindje), ndërsa temperatura mbi 36°C thuajse në të gjithë Ultësirën Perëndimore. Në zona specifike, pritet që temperaturat të ngjiten në 39°C (Shkodra, Berati dhe rrethinat e tyre).

Përsa i përket tablosë së shirave, parashikohet që 10-ditëshi i parë të jetë kryesisht i thatë, shirat më të pranishëm në formën e stuhive të izoluara në zonat malore, ndërsa në datat 2 – 3 gusht priten rrebeshe afatshkurtra që rrezikojnë zonat qendrore dhe jugore.

Ndërsa në 20 ditët e fundit të gushtit, që përkojnë dhe me fundin e stinës së verës, ka sinjale të forta që sjellin temperatura pranë vlerave tipike të muajit, megjithatë nuk përjashtohet mundësia e ndonjë 3-ditëshi ku temperaturat ngjiten mbi 36°C.