
“Ora diellore” do të hyjë në fuqi natën mes të shtunës, data 27 dhe të dielës, data 28 tetor. Në orën 3:00, akrepat e orës duhet të spostohen një orë prapa, duke shënuar orën 2:00. “Ora diellore” do të qëndrojë në fuqi deri në javën e fundit të marsit 2019.

Ndërkaq, në Komisionin Europian është hapur një debat për të braktisur këtë sistem dhe për të lënë në fuqi sistemin e një ore që nuk ndryshon. Bashkimi Evropian do të heqë dorë nga ndryshimi dy herë në vit i akrepave të orës, e për këtë u ka dhënë vendeve anëtare kohë deri në prill të vitit të ardhshëm për të vendosur nëse duan të qëndrojnë me orën verore apo atë dimërore. Megjithëse një vendim i shumëpritur dhe i votuar nga shumë shtetas evropianë në një sondazh të pak muajve më parë, ekziston ende frika se Evropa mund të përfshihet nga kaosi i zonave të ndryshme me orare. Komisionarja evropiane për Transportin, Violeta Bulc, njoftoi se BE-ja do të ndalet së ndryshuari akrepat e orës në mbarë kontinentin në tetor të vitit 2019. Praktika, e cila synonte të kursente energji që prej kohës së luftëra botërore dhe krizës së naftës së viteve ’70, u bë ligj anembanë bllokut në vitin 1996. Të gjitha vendet e BE-së duhej të avanconin me 60 minuta akrepat në të dielën e fundit të marsit, e më pas të kthenin 60 minuta më herët të dielën e fundit të tetorit. Bulc ka thënë se shtetet anëtare kanë kohë deri në prill të vitit 2019 për të vendosur nëse do të qëndrojnë përfundimisht me orarin e marsit apo të tetorit.
