Kreu i ALUIZNIT-t Artan Lame është shtruar me urgjencë në spital ditën e djeshme për shkak të një problemi të papritur shëndetësor. Sipas disa raportimeve, ai ka pasur kriza të forta në zemër kur ishte në zyrën e tij, prandaj është detyruar të bëjë operacion të menjëhershëm në Spitalin Amerikan të Tiranës. Burime të sigurta japin informacionin që operacioni është kryer me sukses. Ai është jashtë rrezikut për jetën dhe tani pritet përmirësimi i gjendjes shëndetësore. Lajmin për kryerjen me sukses të operacionit e ka përmendur dhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, gjatë Kongresit. “Dua t’i uroj shërim të shpejtë Artan Lames, pas një operacioni të suksesshëm”, ka thënë z.Veliaj.

Pas ekzaminimit të djeshëm, duket se kreu i Aluiznit ka pasur çarje të aortës dhe për këtë arsye operacioni ka zgjatur pothuajse 8 orë, duke përfunduar rreth orës 4 e gjysmë të mëngjesit. Ndërhyrja e sukesshme në zemër është në Spitalin Amerikan nga mjekët kardiokirurgë të specializuar. Gjatë operacionit, në spital kanë shkuar dhe kryeministri Edi Rama, zv kryeministri Niko Peleshi, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri etj., të cilët kanë qëndruar pranë familjarëve. Pasi është nxjerrë nga salla e operacionit, është bërë me dije se Artan Lame do të qëndrojë në Reanimacion për mbikëqyrje.