Rikthehet sërish historia e Bleona Matës, vogëlushes së zhdukur 6 vjet më parë në rrethana misterioze.
Mamaja e saj, Bukurie Mata, në një intervistë për ‘Gazetën Shqiptare’ shprehet se vajza e saj ndodhet në Angli.
Për herë të fundit, thotë e ëma, është parë në një restorant nga roja i sigurisë së biznesit, i cili është një emigrant shqiptar.
“Një herë Bleona është parë në një restorant në Angli në shoqërinë e dy femrave dhe kishte blerë një çokollatë. Kjo gjë është kapur dhe nga kamerat e restorantit. Kam foto për këtë fakt. Kam parë edhe momentin që vajza ime ka blerë çokollatën me personat e tjerë që e shoqëronin”, thotë ndër të tjera Bukurie Mata.
Gjithashtu, ajo rrëfen se para dy muajsh, njëra prej 5 vajzave që Bleona ishte shoqëruar ditën e ngjarjes, i ka pohuar se “vajzën ia ka shitur Qamilja”. Bleona Mata u zhduk në mënyrë misterioze pasditen e 22 majit të 2010- ës teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit Zapod të Kukësit së bashku me 5 vajza, të afërme të saj. Aktualisht Bleona eshte 12 vjeçe.
