Fluksi në rritje i orëve të fundit të maturantëve të Tiranës për të aplikuar për një degë në universitet ka bllokuar sistemin online për disa orë.
Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë me dije se kjo ka ndodhur për shkak të aplikimeve të shumta që maturantët kanë lënë për në orët e fundit, pasi ata kishin afat nga 1-3 gusht për procedurën, shkruan Balkanweb.
Me hërët, gjatë paradites së sotme, shumë maturantë pohuan për Class, se faqja ishte e bllokuar me orë të tëra, aq sa një pjesë e mirë e tyre, nga frika se mbeteshin pa aplikuar, i janë drejtuar MAS-it për të marrë më shumë informacion për këtë bllokim të sistemit.
Burime nga Ministria e Arsimit siguruan maturantët se Agjencia Kombëtare e Provimeve do të tejkalojë sot orën 18:00 që kishte Tirana si afat, duke lejuar aplikimin edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes. Duke siguruar se asnjë maturant nuk do të mbetet pa aplikuar.
Mësues që merren me procesin e hedhjes së të dhënave të maturantëve në sistem pohuan se AKP ka lenë edhe një datë tjetër, nëse do të ketë ndonjë maturant që nuk mundet të aplikojë në kohë. Por nga ana tjetër, thonë se kjo është e padrejtë, pasi do duhet të ndërpresin pushimet që ende nuk i kanë nisur.
