Një vit e gjysmë më parë, u publikua traileri i filmit “Ndërkombëtarët”, një realizim shqiptar i regjisorit Pluton Vasi. Për shkak të disa problemeve filmi nuk mundi të transmetohej asokohe, por duke filluar nga kjo javë publiku i interesuar mund ta shohë në Cinneplex.

I bazuar në romanin “Rrëfenjë me ndërkombëtarët” të Ylljet Aliçkës, historia që trajtohet kërkon të hedhë poshtë mitet që ekzistojnë për zyrtarët perëndimorë në Shqipëri. Pra të “demitizojë konceptin e madhështisë apo besueshmërisë pa kushte, të çdo porosie apo urdhri të ndërkombëtareve”, siç rrëfen Aliçka për Top Channel. Një temë aktuale dhe ndodhi me të cilat ndeshemi rëndom në vendet në tranzicion, si Shqipëria, që kanë një kulturë nënshtrimi ndaj pranisë së të huajve në institucionet diplomatike.

Në rol protagonist është Eni Shehu, i cili interpreton Roshin - një djalë i ri që ka thurur ëndrra për perëndimin, por përballja me ndërkombëtarët rezulton të jetë shumë larg asaj që kishte menduar. Ajo çfarë duket nga jashtë me atë që prek nuk kanë aspak lidhje me njëra-tjetrën. Roshi fillon punë si përfaqësues i marrëdhënieve me publikun dhe shtypin shikon nga afër prapaskenat dhe abuzimin e të huajve me shqiptarët.

Në film interpretojnë gjithashtu: Hervin Çuli, Karafil Shena, Rovena Lule, Kastriot Çaushi, Alfred Trebicka, etj.

Premiera e filmit është shfaqur të premten në Cinneplex, ku të pranishëm ishin emra të njohur të botës së televizionit dhe kinemasë. Duke marrë parasysh impaktin që pati gjatë premierës, filmi pritet të jetë mjaft i suksesshëm.

Photo courtesy: Bordo