Në skenën e teatrit “Ariston”, atje ku nis festën sonte 70-vjetori i Sanremos, do të ketë edhe një fjalim kushtuar dhunës ndaj grave. Ajo që së fundmi është kthyer edhe në një çështje politike, duke ndezur motorët e debatit jo vetëm në Italinë fqinje, por edhe më gjerë, quhet Rula Jebreal.

Gazetarja dhe shkrimtarja palestineze, me shtetësi të dyfishtë, izraelite dhe italiane, do të jetë një nga dhjetë gratë që do të jenë pjesë e magjisë së edicionit të 70-të të festivalit të Sanremo-s.

Jebreal është kthyer në një çështje politike të avancuar ditët e fundit, për shkak të ndasive që organizatorët e festivalit dhe personalitete të artit kishin ndaj pranisë së saj në Sanremo. Arsyeja? Disa deklarata të Jebreal, të cilat janë përkthyer si një thirrje ksenofobike në një pjesë të Italisë.

Vendimi për praninë e saj, pas polemikave të shumta, u mor gjatë një takimi midis CEO-s së Rai-t, Fabrizio Salini, drejtores së Rai-t, Teresa De Santis, dhe drejtorit artistik dhe dirigjentit të festivalit, Amadeus. Jebreal do t'i kushtojë një moment reflektimi dhunës ndaj grave, një temë që e prek veçanërisht atë direkt (nëna e gazetares ka kryer vetëvrasje kur ajo ishte vetëm pesë vjeçe për shkak të dhunës dhe abuzimit që kishte pësuar).

Kush është Rula Jebreal?

Rula Jebreal është një gazetare dhe shkrimtare palestineze, por që jeton në Itali. Ka lindur në Haifa (Izrael), e bija e një imami dhe kujdestari xhamie.

Së bashku me motrën e saj, ajo u rrit në një kolegj/jetimore në Jerusalem, ku qëndroi deri në vitin 1991. Në 1993 ajo fitoi një bursë nga qeveria italiane për të studiuar fizioterapi në Universitetin e Bolonjës, ku u diplomua.

Në fund të viteve 90' Rula filloi të bashkëpunojë me "Il Resto del Carlino", "Il Giorno de La Nazione", duke u marrë me lajme, çështje sociale dhe politikë të jashtme. Ka pasur bashkëpunime të ndryshme në median italiane ndër vite, ndërsa në 2004-ën ajo botoi librin e parë autobiografik "Rruga drejt luleve të Miralës", ku bazohet edhe filmi që ka ngjallur shumë diskutime në botë, e sidomos është kontestuar ndjeshëm në SHBA, "Miral". Gjykohet si film pro palestinez, ndaj menjeherë ajo udhëtoi drej New York-ut ku akuzoi median amerikane se kishte qëndrime të pabalancuara në favor të Izraelit, duke siguruar me fakte një pamje të shtrembëruar të ngjarjeve në Gaza.

Në vitin 2018 u bë publike kandidatura e saj për zgjedhjet evropiane të vitit 2019, pas fjalimit në Leopolda, në të cilën, e intervistuar nga Matteo Renzi, ajo iu përgjigj disa pyetjeve në lidhje me përfshirjen e mundshme në politikë. Rula Jebreal përfundoi në qendër të polemikave lidhur me protagonizmin e saj në skenën “Ariston” në Festivalin Sanremo 2020.