Aktorja e “Potokallisë”, Renada Caci, ka konfirmuar se nuk do të jetë më pjesë e spektaklit të humorit. Pas lajmeve që kanë qakulluar në portale rreth largimit të saj, Renada ka reaguar në Instagram, ku është shprehur se është e vërtetë që do të largohet pas kaq shumë vitesh.

“Po, është e vërtetë! U uroj suksese kolegëve të mi, Florjan Binajt dhe Rezart Veleshnjës. I falënderoj për mbështetjen. Përgjithmonë miq! Falenderoj institucionin për mirëkuptimin dhe mbështetjen, si dhe drejtuesit e institucionit, Vjollca Hoxhën për mirëbesimin gjithë këto vite dhe në veçanti Ben Blushin për mirëkuptimin dhe suportin në gjithçka, si dhe drejtorin Bjorn Xhokaxhi. Me ju do jem së shpejti fansat e mi të dashur. Ju dua, jeni dashuria ime deri në fund! E di që do t’ju mungoj, por s’do t’ju braktis kurrë”, -ka shkruar ajo.

Mesazhet që i kanë mbërritur Renadës kanë qenë të shumta, por ajo ka reaguar sërish duke u shprehur se “nuk është fundi i botës” dhe se "kudo të jetë do ketë me vete copëzat e humorit që ka dhuruar dhe do dhurojë sërish".

“Njeriu ka cikle të ndryshme në jetë, fillon e mbaron një për të vazhduar me dashuri diçka tjetër. Rëndësi ka t’ju kem pranë vetes tërë jetën. Ju dua!” – ka përfunduar ajo.

Edhe pse është përfolur për shumë largime nga spektakli, gjithçka mbetet për t’u parë në tetor, kur pritet të fillojë “Portokalli”.