Seriali “Shtëpiake të dëshpëruara” ka mbaruar në vitin 2012, por shumë njerëz vazhdojnë ta duan dhe ta rishohin serialin. Kush mund t’i harrojë Susan-ën, Gabrielle-n, Bree-n dhe Lynette-n? Megjithatë, ka pasur diçka që nuk e dinim lidhur me aktoren Eva Longoria që ka interpretuar rolin e Gabrielle.

Aktorja ka rrëfyer për herë të parë se ka qenë viktimë e bullizmit në set gjatë kohës që ka xhiruar serialin. Eva shkroi një letër në mbështetje të koleges së saj Felicity Huffmann (Lynette), e cila po akuzohet për korrupsion në kolegjin e së bijës. Mes të tjerave ajo tregoi se ka qenë viktimë e bullizmit nga një koleg/e i/e saj në sheshxhirimin e “Shtëpiakeve të dëshpëruara” dhe ka qenë Felicity, ajo që i ka dalë në mbrojtje dhe e ka ndihmuar.

“Ishte një kohë kur kam qenë viktimë e bullizmit nga një person që punonte me mua. I kisha frikë ditët që më duhej të punoja me atë njeri sepse ishin torturë. Derisa një ditë, Felicity i tha atij/asaj ‘mjaft’ dhe shpëtova. Felicity e ndjeu që unë isha e mbushur me ankth, edhe pse unë nuk iu ankova kurrë askujt lidhur me këtë abuzim”, -është shprehur Eva.

Aktorja nuk ka preferuar ta tregojë emrin e personit që është tallur me të.