Kate Middleton ka folur për herë të parë rreth ndryshimit të saj të bujshëm të flokëve, që u vu re gjatë muajit shtator kur princesha u shfaq me nuanca më të çelura bionde.

Aktorja Su Pollard, në një deklaratë për Daily Mail, rrëfeu se backstage në Royal Variety Performance i kishte thënë Princeshës së Uellsit:
“Më pëlqen shumë modeli yt i flokëve, duken më të çelur.”

Sipas Pollard, Kate iu përgjigj me humor dhe thjeshtësi:
“Dikur i kisha kafe, por janë çelur nga dielli.”

Princesha, 43 vjeç, mori pjesë në eventin e mbrëmjes në Royal Albert Hall së bashku me Princ Williamin, e veshur me një fustan velvet të gjelbër smeraldi dhe me flokë të stiluar në onde voluminoze.

Ajo e prezantoi look-un e ri për herë të parë më 4 shtator, gjatë një vizite në kopshtet e rinovuara të Muzeut të Historisë Natyrore në Londër, duke surprizuar publikun me nuanca mjaltë dhe shkëlqim të butë biond.

Stilisti i njohur mbretëror, Neville Tucker i preferuari i Mbretëreshës Elizabeth II komentoi për Vanity Fair se Kate “duket sikur ka realizuar një set të plotë highlights-esh”.

“Kate ka zgjedhur një pamje të fortë, dukshëm më të çelur nga ç’jemi mësuar ta shohim. Ky është varianti më biond i saj,” -tha ai.
Tucker shtoi se kjo mund të nxisë një valë të re trendesh:

“Meqë Kate po shkon drejt biondes, shumë njerëz do të kërkojnë tone mjaltë dhe highlights të ngrohta.”

Edhe pse pamja e re u prit me shumë admirim, vetëm pak ditë më vonë princesha u pa sërish me tone më të errëta kafe.

Më 6 shtator, gjatë finales së Kupës së Botës në Rugby për Femra, Kate u shfaq me një ngjyrë më të thellë të flokëve, edhe pse nuancat mjaltë vijonin të dalloheshin lehtë. Ajo i kishte stiluar në një gjysmë-lidhje elegante, të kombinuar me një këmishë me volanë dhe një xhaketë klasike të zezë.

Ky ndryshim i beftë vjen në një vit sfidues për Princeshën e Uellsit, e cila ka treguar se prej janarit është në fazë rikuperimi pas trajtimit kundër kancerit.