
Eva Longoria ka folur hapur për vendimin e saj për t’u bërë nënë më vonë në jetë dhe pse kjo, për të, ka qenë bekim.
“Ke shumë më shumë mençuri dhe durim kur bëhesh nënë në të dyzetat,” –tha Longoria, 50 vjeçe, për The Sunday Times, në një intervistë të publikuar të shtunën, më 22 nëntor. “Për kaq shumë kohë gjithçka ka qenë për mua. Dyzet vite vetëm unë, ishte kohë e mjaftueshme, ndaj jam me të vërtetë e bekuar që e kam pasur fëmijën tim më vonë në jetë, sepse kisha udhëtuar, kisha bërë gjithçka që më duhej të bëja për karrierën time. Tani gjithçka që bëj është veçsi krem mbi tortë, dhe më e bukura është që e bëj bashkë me djalin tim.”
Në të njëjtën intervistë, Longoria foli edhe për faktin se, pavarësisht karrierës së suksesshme në Hollywood, familja mbetet prioriteti i saj kryesor:
“Familja ime është prioriteti im, ndaj nëse po them ‘po’ ndaj diçkaje që më merr kohë larg tyre, duhet të jetë diçka që vërtet do ta shijoj dhe njerëz me të cilët vërtet dua të punoj,” – shpjegoi ajo.
Aktorja, e njohur nga “Desperate Housewives”, e mirëpriti fëmijën e saj të parë, djalin Santiago Enrique Bastón, më 19 qershor 2018, me bashkëshortin José Antonio “Pepe” Bastón.
“Që nga momenti kur ma vendosën në krahë, e kuptova se nuk kisha njohur kurrë një dashuri të tillë më parë,” –ka shkruar Longoria në Instagram katër muaj pas lindjes së të birit, duke e quajtur atë “pakoja ime e vogël e dashurisë” dhe një “mrekulli”.
