
Kendall Jenner ka vendosur t’i japë fund një prej thashethemeve më të përsëritura prej vitesh në rrjet, atij se ajo është pjesë e komunitetit LGBTQIA+. Modelja e trajtoi hapur temën gjatë episodit të së premtes në podkastin “In Your Dreams”, të drejtuar nga Owen Thiele, duke e quajtur një “anë të internetit” që e ka mbajtur gjallë këtë narrativë për një kohë të gjatë.
“Pastaj është gjithë ajo anë e internetit që mendon se jam lesbike”, tha Jenner, duke e vendosur menjëherë diskutimin në një ton të drejtpërdrejtë. Ajo konfirmoi se nuk është lezbike, por njëkohësisht theksoi se, po të ishte, nuk do ta kishte problem të dilte hapur.
“E kuptoj që të dalësh hapur nuk është gjë e lehtë për askënd, në mos për shumicën e njerëzve”, pranoi ajo. “Dhe nuk po them se është e lehtë, por duke e ditur veten, dhe mund të flas për veten time këtu, mendoj se në këtë pikë të jetës sime do të kisha dalë hapur po të isha.”
Në të njëjtën frymë, Jenner shtoi se nuk e sheh veten si një person që do ta jetonte jetën duke e fshehur diçka të tillë. “Thjesht po them që duke njohur veten dhe duke ditur si do të doja ta jetoja jetën time, do të isha. Nuk do ta kisha problem të isha kështu”, u shpreh ajo.
Modelja u ndal edhe te ideja që, sipas saj, është ushqyer online, sikur ajo “po fsheh diçka” nga fansat. Në këtë pikë, Jenner tha se ka parë komente që e kanë habitur, sidomos kur orientimi seksual lidhet me kalkulime të ftohta imazhi.
“Kam parë gjëra vërtet të sëmura, si ‘është keq për biznesin’, dhe unë them: ‘Çfarë? Si?’ Nuk e kuptoj”, tha ajo. Më pas e formuloi qartë pozicionin e saj aktual: “Gjithsesi, sot, nuk jam”, duke shtuar menjëherë një fjali që e hap diskutimin në një plan më filozofik për jetën dhe përvojat: “Nuk mendoj se do të jem, por nuk po mbyll dyert ndaj përvojave në jetë.”
