
“Nuk ka drogë të rëndë dhe nuk ka filma me superheronj.” Kështu përmblidhen dy “rregulla” që prej kohësh qarkullojnë në Hollywood si këshilla të dhëna mes kolegësh, ndërsa dy nga emrat më të komentuar të kinemasë së sotme, Leonardo DiCaprio dhe Timothée Chalamet, vazhdojnë të mbeten një kombinim i çuditshëm mes miqësisë dhe konkurrencës.
Nomimet për Oscar 2026 pritet të shpallen më 22 janar, por një gjë duket thuajse e sigurt: këta dy miq do të gjenden sërish përballë njëri tjetrit në të njëjtën garë. Ashtu si në Critics’ Choice Awards dhe në Golden Globes, edhe te Oscar, statuja për Aktorin më të Mirë pritet të jetë e kontestuar mes Leonardo DiCaprio për filmin “Një betejë pas tjetrës” dhe Timothée Chalamet për “Marty Supreme”, ku Chalamet, të paktën për momentin, konsiderohet në avantazh falë fitores së tij te Critics.
Është ajo lloj rivaliteti që në ekran duket si “armiqësi” e ëmbël, por në prapaskenë është thjesht një pjesë normale e marrëdhënies mes dy yjeve që shpesh krahasohen, vendosen në të njëjtën fjali dhe shihen si dy gjenerata të së njëjtës magnetikë kinematografike. Që nga viti 2021, kur punuan bashkë, në publik është përforcuar ideja se mes tyre ka jo vetëm respekt profesional, por edhe një afeksion të sinqertë.
DiCaprio dhe Chalamet, përveçse kolegë, janë edhe miq. Ata luajtën së bashku në filmin e Netflix-it të vitit 2021 “Don’t Look Up” të Adam McKay dhe, prej asaj kohe, raportet nuk kanë mbetur vetëm brenda setit. Madje, DiCaprio ka qenë edhe mes të ftuarve në festën e 30 vjetorit të Chalamet, e organizuar më 27 dhjetor në shtëpinë e aktorit në Los Angeles, një “super party” ku përmendet se ishte e pranishme edhe Vittoria Ceretti.
Në fund, ky është një nga ato raste ku industria bën atë që di më mirë: i kthen miqtë në rivalë për një natë çmimesh, ndërsa ata vetë vazhdojnë të ecin paralelisht, me karriera që ushqejnë njëra-tjetrën. Dhe pikërisht kjo e bën “përplasjen” e tyre kaq tërheqëse: sepse nuk është dramë, është konkurrencë e shëndetshme, e lindur nga fakti që të dy janë, në mënyrën e tyre, kandidatët më të natyrshëm për të qenë në qendër të kinemasë së momentit.
