
Brooklyn Beckham ka rikthyer vëmendjen te marrëdhënia e tij me Nicolën, në një moment kur krisja me familjen Beckham vazhdon të jetë në qendër të lajmeve. 26-vjeçari postoi në Instagram disa foto romantike me bashkëshorten, Nicola Peltz Beckham, ku dyshja shfaqet në një arratisje të qetë, në shoqërinë e qenit të tyre.
Në një nga imazhet që u komentua më shumë, Nicola duket në shtrat, e mbuluar me një jorgan të bardhë, në një moment intim e shtëpiak. Postimi u shoqërua edhe me pamje të tjera nga një darkë bashkë, ku çifti shihet duke shkëmbyer puthje dhe duke shijuar kohën larg zhurmës.
View this post on Instagram
Reagimet në rrjete sociale, si zakonisht, u ndanë në dy kampe. Disa ndjekës e kritikuan Brooklyn-in për mënyrën si e ekspozon privatësinë, ndërsa të tjerë e mbështetën hapur, duke i kujtuar se “familja” për të, sot, është partnerja me të cilën ka ndërtuar jetën.
Ky postim vjen pak kohë pasi Brooklyn deklaroi se nuk dëshiron pajtim me prindërit dhe i akuzoi ata se kanë ndërhyrë në martesën e tij me Nicolën, duke e vendosur konfliktin në një nivel personal dhe shumë të ekspozuar për publikun.
Nga ana tjetër, David dhe Victoria Beckham nuk i janë përgjigjur drejtpërdrejt akuzave, por janë shfaqur të bashkuar në Paris, së bashku me fëmijët e tjerë dhe partnerët e tyre, në një dalje publike që u lexua si “front i përbashkët” i familjes. Në të njëjtën frymë, edhe vëllezërit Cruz dhe Romeo kanë lënë të kuptohet në rrjete sociale se qëndrimi i tyre është në krah të prindërve.
