Chrissy Teigen ka folur hapur për një kapitull të ndërlikuar, por shumë njerëzor të jetës së saj: vendimin për t’u rikthyer sërish te të qenurit esëll, pasi kishte rifilluar të konsumonte alkool pas më shumë se një viti pa pirë.

Në një postim në Instagram, modelja dhe prezantuesja tregoi se, pasi kishte qëndruar pa alkool për mbi një vit, u bind se mund të rikthehej “me kujdes”, në mënyrë të kontrolluar. Ideja i dukej e thjeshtë dhe e arsyeshme: një gotë verë në një darkë me John Legend, një dolli në ditëlindje, momente të vogla “si shpërblim”. Por pikërisht këtu, thotë ajo, filloi rrëshqitja. Sepse kur një zakon lidhet me idenë e shpërblimit, ai e gjen shumë shpejt rrugën për t’u kthyer në rutinë.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by chrissy teigen (@chrissyteigen)

Chrissy e përshkruan kthimin te alkooli si diçka që nuk shpërtheu në dramë të madhe, por u fut qetë, me këmbëngulje, në jetën e përditshme. Fillimisht mbrëmja shoqërohej me verë, pastaj ora nisi të vinte më herët, derisa përfundoi në një pikë ku i dukej normale edhe në mesditë. Nuk e përshkruan si një gjendje ku humb kontrollin në kuptimin klasik, por si një lodhje e brendshme, e heshtur dhe e vazhdueshme, që i prishi energjinë, qartësinë dhe atë ndjesinë e mirë që kishte kur ishte pa alkool.

Ajo pranon se e kuptoi ndikimin në gjërat më të vogla, ato që zakonisht janë alarmi i parë: mungesa e spontanitetit, humbja e lehtësisë për të marrë çelësat dhe për të dalë pa menduar dy herë, një ndjesi e rëndë në trup dhe mendje, sikur dita të ishte gjithmonë pak më e vështirë seç duhet. Dhe, megjithatë, thotë se nuk ishte “mjaftueshëm rrëmujë” për ta ndalur menjëherë. Kjo, në fakt, është pjesa më e fortë e rrëfimit: jo gjithmonë e kupton rrezikun kur vjen me zhurmë. Ndonjëherë vjen me heshtje.

Një tjetër moment kyç për të ishte biseda në podcastin e saj “Self-Conscious”, ku pati të ftuar Carl Radke dhe folën për rrugëtimin e tij të sobriety. Chrissy e falënderon publikisht, duke thënë se ajo bisedë i ndryshoi perspektivën dhe, në një farë mënyre, i vuri pasqyrën përballë. Po atë periudhë, ajo thotë se iu shfaq edhe një mundësi profesionale që e mori si sinjal zgjuese: nëse do t’i jepej një shans i tillë, ajo nuk e imagjinonte dot veten duke e bërë me alkool pranë.

Ndryshe nga hera e parë kur hoqi dorë, këtë herë Chrissy thotë se nuk kishte entuziazëm. Herën e parë dukej si një nisje e re, me adrenalinë dhe motivim. Këtë herë, është më e qetë, më e matur dhe ndoshta më e vështirë emocionalisht, sepse siç e pranon vetë, mund të ketë nga ata përreth që nuk duan të gëzohen para kohe, nga frika e një zhgënjimi të përsëritur. Por ajo e thotë qartë se është krenare që ka rifilluar dhe se është 52 ditë pa alkool, pa dëshirë për t’u kthyer mbrapsht.

Chrissy Teigen prej vitesh ka qenë e hapur për raportin e saj me alkoolin. Ajo ka folur për ulje-ngritjet, për rrëshqitjet, për momentet kur ndihej keq që kishte zhgënjyer veten dhe të tjerët, por edhe për një të vërtetë që e përsërit: ajo e pëlqen veten më shumë kur është e kthjellët, ndihet më mirë në trup dhe bën më shumë gjëra.

Rrëfimi i saj nuk vjen si moral, as si “perfeksion”, por si një kujtesë e thjeshtë dhe reale: disa zakone nuk kthehen si fillojnë. Dhe ndonjëherë, vendimi më i fortë është ai që merret pa zhurmë, në heshtje, vetëm sepse e di që kështu je më mirë.