Është publikuar videoklipi zyrtar i këngës “Nan”, me të cilën Alis do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026.

Klipi është publikuar në kanalin zyrtar të Eurovision në YouTube dhe shoqërohet me titra në gjuhën angleze, në mënyrë që mesazhi i këngës të kuptohet më lehtë edhe nga publiku ndërkombëtar.

“Nan”, e interpretuar në gjuhën shqipe, vjen si një këngë me ngarkesë të fortë emocionale, ku vokali i Alis shoqërohet me një interpretim të ndjerë dhe një atmosferë artistike të veçantë. Projekti synon të përcjellë një histori intime dhe universale, që lidhet me dashurinë, kujtesën dhe lidhjet e forta njerëzore.

Kënga u shpall fituese e Festivalit të Këngës në RTSH, në edicionin e 64-të të zhvilluar në vitin 2025, duke u veçuar si nga publiku ashtu edhe nga juria për interpretimin dhe identitetin e saj artistik.

Alis pritet ta performojë “Nan” në natën e dytë gjysmëfinale të Eurovision 2026, më 14 maj, në Vjenë të Austrisë, ku do të përballet me përfaqësuesit e vendeve të tjera për të siguruar një vend në finalen e madhe të kompeticionit.

Publikimi i videoklipit është hapi i parë i prezantimit ndërkombëtar të këngës dhe një mundësi që fansat e Eurovision të njihen më nga afër me projektin që këtë vit do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën më të madhe të muzikës europiane.