Pas deklaratave të Einxhel Shkirës për krisjen e marrëdhënieve me disa nga miqtë e saj më të afërt, ka ardhur edhe reagimi i parë publik nga Argjira Spanca.

E pyetur nga gazetari Butrint Pasjaqa në një prononcim për platformën "Artistët Shqiptarë", ku ishte e pranishme së bashku me partnerin e saj, Graciano Tagani, moderatorja foli hapur për raportin me Einxhelin, duke lënë të kuptohet se, sipas saj, gjithçka ka lindur nga një keqkuptim dhe jo nga një konflikt i mirëfilltë.

“Me Einxhelin, e di që duket e pabesueshme, por nuk ka ndodhur diçka specifike. Më tepër ka qenë si një keqkuptim nga ana e saj. Me kohën do të sheshohen gjërat dhe ajo do ta kuptojë që gjërat nuk kanë qenë aspak siç i ka marrë”, u shpreh Argjira.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Graciano Tagani, i cili minimizoi situatën dhe theksoi se vazhdon të ketë respekt dhe vlerësim për Einxhelin.

“Jo, unë e dua shumë! Janë ca muhabete gocash që s’kanë lidhje fare. Por prapë, Einxhelin do ta mbaj mend si vajza që më është gjendur pranë në momente të vështira. S’ka ndodhur asgjë, ne e duam shumë”, tha ai.

Deklaratat e tyre vijnë disa javë pasi Einxhel Shkira foli për herë të parë për ftohjen e marrëdhënieve me disa prej miqve të saj gjatë intervistës në emisionin "Mirëmbrëma Yje" me Arbana Osmanin.

“Disa gjëra janë shumë të bukura për aq sa zgjasin. Nuk është se miqësitë mbarojnë, thjesht ndonjëherë ndodh që njerëzit nuk janë gjithmonë aty për mua kur kam nevojë”, ishte shprehur moderatorja.

Einxhel kujtoi edhe periudhën e vështirë kur pësoi dëmtimin në këmbë, duke lënë të kuptohej se mungesa e mbështetjes nga disa njerëz që i konsideronte të afërt e kishte zhgënjyer.