Nuk e dimë nëse ishte buja e shitjes së verës së kaluar kur Original Hermès Birkin e Jane Birkin u shit për shifrën marramendëse prej 8.5 milionë eurosh që ndezi edhe më shumë dëshirën e koleksionistëve për sendet e saj personale. Apo ndoshta magjia e objekteve që i kanë përkitur asaj ka qenë gjithmonë aty.

Fakti është që Sotheby’s, në tetor, njoftoi një tjetër ankand të veçantë: në shitje do të dilte një tjetër Birkin e Jane Birkin, e ashtuquajtura “Voyageur” një emër i frymëzuar nga mbishkrimet personale që aktorja kishte lënë brenda çantës, mes tyre edhe fraza prekëse:

“Birkin-i im që më ka shoqëruar në gjithë botën.”
Kjo çantë, e dhuruar Jane-it nga Hermès, është njëra nga katër Birkin që ajo përdori pasi shiti Original Birkin-in, prototipin legjendar. Të shiste herë pas here çantat për të mbështetur kauza bamirësie ishte një traditë për Jane Birkin dhe çdo herë Hermès i dhuronte një çantë të re në vend të asaj të shitur. Në total, gjatë jetës, maison-i francez i dhuroi katër Birkin pas shitjes së prototipit.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Sotheby's (@sothebys)

Sot, njëra prej këtyre katër çantave u nxor në ankand në Abu Dhabi për herë të parë pas më shumë se 15 vitesh duke u dhënë koleksionistëve një mundësi jashtëzakonisht të rrallë për të bërë pjesë të koleksionit të tyre një nga vetëm pesë copat që përbëjnë trashëgiminë legjendare të Jane Birkin.

Çmimi final, sipas France 24, ishte rreth gjashtë herë më i lartë se vlerësimi fillestar (230.000–430.000 dollarë): çanta u shit për 2.86 milionë dollarë, rreth 2.45 milionë euro.

Trashëgimia e çantave të Jane Birkin vijon të magjepsë koleksionistët,” deklaroi Sotheby’s në një njoftim për AFP, duke shtuar se ofertat vazhduan për 11 minuta mes gjashtë koleksionistësh. Bleri i ri mori pjesë përmes telefonit dhe preferoi të mbetej anonim.

Dhe historia nuk mbyllet këtu: një e tretë çantë Hermès që i ka përkitur këngëtares do të dalë në ankand më 15 dhjetor, në Hotel Drouot të Parisit. Bëhet fjalë për një model që Jane ia kishte besuar mikes dhe biografes së saj, Gabrielle Crawford, e cila ka vendosur ta shesë për të kontribuar në krijimin e ardhshëm të Jane Birkin Foundation.