Shumica prej nesh kalojnë herë pas here periudha të vështira ose momente kur ndihemi keq, veçanërisht kur nuk ndihemi aq mirë me jetën ose me veten sa do të donim.

Edhe kur këto gjendje nuk përbëjnë depresion klinik, ato mund të jenë sfiduese, sidomos kur zgjasin.

Më poshtë janë disa këshilla të thjeshta që mund t’ju ndihmojnë të përmirësoni humorin dhe të riktheheni në një gjendje më pozitive.

1. Lëvizni

Aktiviteti fizik i moderuar ose intensiv mund të ketë një ndikim të ngjashëm në humor me disa trajtime kundër depresionit, por me shumë më pak efekte anësore. Nuk është e nevojshme të bëni stërvitje të lodhshme edhe një ecje e shpejtë mund të ndihmojë. Edhe nëse nuk keni dëshirë të dilni, shpesh do të ndiheni shumë më mirë pasi të filloni të lëvizni.

2. Hani ushqime të shëndetshme gjatë ditës

Mos qëndroni gjatë pa ngrënë, pasi kjo mund t’ju bëjë më nervozë dhe të ndikojë në humor. Shmangni ushqimet me shumë sheqer që shkaktojnë rritje dhe më pas ulje të menjëhershme të nivelit të sheqerit në gjak. Zgjidhni ushqime të pasura me omega-3, si salmoni, ose ushqime me fibra, si farat e lirit, të cilat ndihmojnë trurin.

3. Flini mjaftueshëm

Mungesa e gjumit ndikon drejtpërdrejt në humor dhe në aftësinë për të përballuar stresin. Nëse flini rregullisht më pak se shtatë orë në natë, lodhja mund të jetë arsyeja pse ndiheni vazhdimisht të rënduar emocionalisht.

4. Kaloni kohë me miqtë ose me njerëz që ju bëjnë të qeshni

Një bisedë e mirë, një shaka ose një moment argëtues mund të ndryshojë shpejt gjendjen tuaj emocionale. Shpesh një humor i keq që duket sikur nuk do të largohet kurrë është vetëm një gjendje e përkohshme që mund të ndryshojë me stimulimin e duhur.

5. Dëgjoni muzikën që ju pëlqen

Është e vështirë të qëndroni në humor të keq kur dëgjoni muzikën tuaj të preferuar. Krijoni një listë me këngët, filmat ose aktivitetet që ju japin energji dhe përdorini si një mënyrë për t’u ngritur emocionalisht kur ndiheni keq.

6. Mbani qëndrimin drejt

Kur ndihemi keq, shpesh përkulemi dhe lëvizim pa energji. Provoni të qëndroni drejt, të ecni me siguri, të merrni frymë thellë dhe të buzëqeshni edhe nëse nuk ju vjen natyrshëm. Edhe ndryshime të vogla fizike mund të ndikojnë në mënyrën si ndihemi.

7. Shmangni alkoolin

Alkooli mund t’ju bëjë të ndiheni më mirë për një moment, por më pas mund të ndikojë negativisht në humor. Gjithashtu prish cilësinë e gjumit, duke bërë që të ndiheni më keq ditën tjetër.

8. Dilni në diell

Drita e diellit ndihmon trupin të prodhojë vitaminën D, e cila lidhet me mirëqenien dhe humorin.Një shëtitje jashtë, duke kombinuar dritën e diellit me aktivitetin fizik, mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për të përmirësuar gjendjen emocionale.