Moderatori i njohur i Top Channel, Ledion Liço, e ka bërë fakt dëshirën e mëhershme për të eksperimentuar edhe në fushën e muzikës. Ka vetëm pak orë që kënga e tij “Yes” është hedhur në YouTube dhe pritshmëritë kanë qenë të ndryshme. Më besnikët e Ledionit prezantues, e kanë parë me pak skëpticizëm në këtë ekperiment, por shumë nga ndjekësit e kanë përgëzuar dhe uruar për këngën.
Imazhet e para të klipit u shfaqën të dielën, në mbrëmjen finale të Top Fest-it, kohë kur Ledioni deklaroi se kishte pritur një hapësirë për ta realizuar këtë dëshirë të kahershme të tijën.
“Yes” është prezantuar me një klip më shumë se provokues, me femra seksi në shumë skena të klipit. Përveçse si këngëtar, Ledioni ka realizuar edhe tekstin e këngës, e cila vjen në anglisht. Duket se Liço ka ndjekur shembullin e koleges së tij, Luana Vjollca, e cila po ashtu ka publikuar disa klipe duke shfaqur edhe një talent tjetër të fshehur, përveç prezantimit.