Alban Skënderaj
Alban Skënderaj është nga të paktët këngëtarë, i cili ka arritur të krijojë një numër të madh fansash jo duke bërë muzikën më në trend të momentit, por nëpërmjet stilit të tij. Nuk mund të priste më mirë në fund të dhjetë viteve karrierë. Si provë që e pëlqejnë dhe e duan, shërbeu edhe koncerti recital live “Tingujt e ditarit tim”, që mbajti në Tiranë, në nëntor të këtij viti, për të cilin biletat u shitën në kohë rekord. Jo më kot ai ishte një nga këngëtarët e përzgjedhur për të çelur koncertin e Jessy J në Tiranë, si një nga aktivitetet kulmore të muzikës bashkëkohore këtë vit.

Komedia “Djemtë gazmorë”, që u shfaq që në janar të këtij viti e vijoi për disa muaj me radhë, me regji të Sulejman Rushitit, ishte një sukses më shumë për dy figurat e njohura të teatrit shqiptar, Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti. Ndrenika, prej dy vitesh, është rikthyer aktiv në skenën e teatrit. Të gjithë kujtojnë rolin e tij te “Dr. Shuster”, por edhe më pas rolin e Kostaqit te “Shshsh, ule zërin”, dy role që i kanë dhënë çmimet “Kult” për aktorin më të mirë si vjet, edhe këtë vit, që është i disati në radhë një vit i suksesshëm për një nga aktorët më të mëdhenj për shqiptarët.

Maji është muaji i tij meqë ka lindur në maj, por këtë vit, në ditëlindjen e 43-të, kjo ndihej në të gjithë Tiranën. Prej promovimit të librit autobiografik në shqip,“Fugë për violinë”, por edhe prej koncerteve që Tedi Papavrami mbajti në TKOB në datat 13 dhe 14 të këtij muaji. Vetëm ai në skenë duke interpretuar për herë të parë partitat dhe sonatat e Bahut, të plota, dhe askush nuk ndjeu që duhej më shumë. Suksesit prej emrit iu shtua edhe ai prej notave të fugave dhe pjesëve të tjera të interpretuara në violinë. Po këtë vit, violinisti i njohur ka ftuar titullin “Chavelier des Arts et Lettres” në Francë dhe të drejtën për të luajtur me një violinë origjinale “Stradivarius”, ndërkohë që libri i tij është botuar edhe në turqisht.

Në moshën 31-vjeçare ka luajtur 40 role dhe këtë vit, pas disa nominimesh, fitoi edhe çmimin “Kult” si këngëtari më i mirë lirik. Sigurisht, në këtë zhanër është shumë e vështirë të bëhesh popullor, por Armando Likaj ia ka dalë të dallohet. Gjatë këtij viti, ka luajtur në operat “La traviata”, “La Boheme” dhe “Cosi Fan tutte”, duke arritur kulmin me simfoninë për bariton, kor dhe orkestër “Shfaqu Zot” të David Tukiçit, premierë botërore më 21 nëntor, ku kompozitori dhe dirigjenti i besoi Armandos rolin e këngëtarit. Ajo ka qenë një periudhë e ngarkuar për baritonin, duke ditur që njëkohësisht luante edhe në operën “La Boheme”. Ndërsa në simfoni do mbartte peshën e një detyre vokale të jashtëzakonshme të këngëtarit të vetëm në skenë, në rolin e Marcelo-s te “La Boheme” do spikaste mes të tjerëve për lojën aktoreske. Interpretimi aktoresk është një cilësi e spikatur e baritonit, i cili po e mbyll këtë vit të suksesshëm si pjesë e Festivalit të RTSH-së.
Genc Tukiçi
Suksesi i Genc Tukiçit në skenat botërore flet për Shqipërinë jo vetëm tërthorazi në të gjitha koncertet që jep, por edhe drejtpërdrejt, kur ato i kushtohen Shqipërisë, siç ishte mbrëmja e 26 nëntorit “Notat Shqiptare”, ku ai interpretoi me Inva Mulën në King’s Palace të Londrës. Ishte pak ditë pasi luajti në koncertin për piano të kompozuar nga i vëllai, që parapriu simfoninë e këtij të fundit në TKOB. Më parë ai shoqëroi sopranon e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, në koncertin e saj recital në Paris dhe në fund të dhjetorit do të jetë në skenën e Festivalit të RTSH-së, provat e të cilit po i ndjek prej disa javësh.

E ka nisur me Traviatën në Paris dhe e ka mbyllur po me të në Vjenë. Në prill u kthye në Tiranë për të interpretuar “Madame Butterfly” në Teatrin e Operës dhe Baletit, pas shtatë vitesh. Në atë kohë, Kryeministri i Shqipërisë e nderoi edhe me një medalje nderi. Ishte edhe para pak ditësh në një koncert bamirësie, më 14 dhjetor në TOB, ndërkohë që netët e Traviatës në Vjenë ku ajo luante Violetën, nuk kishin mbaruar. “La traviata” ka qenë një nga operat e interpretuara në disa skena të botës nga sopranoja jonë, bashkë me perla të tjera botërore. Ndërkohë, Ermonela ka zhvilluar këtë vit në Paris një koncert recital “Ermonela ndryshe”, shoqëruar nga pianisti shqiptar, Genc Tukiçi, dhe ka marrë pjesë në një koncert madhështor në Moskë.

Balerina e talentuar e Albi Nako Dance, tashmë po shkëlqen në talent show-n italian “Amici”. Si balerinë dhe koreografe në trupën e TV Klan, Klaudia mbylli një sezon të suksesshëm dhe nisi një tjetër edhe më të shkëlqyer me spektaklin “Dance with me”, por pjesëmarrja në “Amici” e ka bërë një nga balerinat më të ndjekura për shqiptarët, të cilët shohin me kureshtje ecurinë e saj në Itali, ku ka kaluar me sukses provat dhe është një nga talentet e spikatura.

Këngëtarja e jazz-it, e njohur në të gjithë Evropën për muzikën e saj me baza në folkun shqiptar, këtë vit prezantoi në Shqipëri albumin e saj të tetë “Muza e zezë”, i pari ku ajo shfaqet si kantautore. Për ta prezantuar, Elina dha dy koncerte në skenën e Piramidës në prill, biletat e të cilëve shkuan për bamirësi. Ajo ka qenë e pranishme edhe në disa festivale muzikore në Kosovë si Dam Fest, apo Doku Fest e disa me karakter tradicional kombëtar në Shqipëri, si Traku Fest në Gjirokastër apo festivali tjetër i ngjashëm që pasoi në Berat.

Ajo është garancia e çdo regjisori të teatrit dhe këtë e ka vërtetuar edhe gjatë këtij viti me shfaqjet ku ka interpretuar. “Udhëtimi i gjatë drejt natës”, që mbylli sezonin teatror në verë dhe që u rivu edhe gjatë sezonit të vjeshtës në sallën e Teatrit Kombëtar, nga Spiro Duni, ishte një nga më të suksesshmet e këtij viti dhe Yllka Mujo realizoi me mjeshtëri një nga rolet më të vështira në karrierë, siç e ka quajtur dhe ajo vetë, rolin e nënës në familjen me shumë probleme. Po këtë vit, ajo ka luajtur edhe në komedinë që udhëtoi në disa skena shqiptare “Vanja, Sonja, Masha e të tjerë”.

Aurela Gaçe
Ndonjëherë duhet një çmim, edhe pse gjithmonë thuhet që çmimet nuk janë tregues i vërtetë suksesi, për ta bërë më të prekshëm atë sukses që ndihet dhe dihet. Kështu edhe për Aurela Gaçen. Ka pasur një vit shumë të mirë muzikor, mbetet një nga protagonistet e netëve live të kryeqytetit, duke mbushur çdo javë plot sallën e club-it ku interpreton dhe në një sondazh që u bë pak kohë më parë në revistën Class, u votua si këngëtarja me vokalin më të mirë shqiptar. Çmimi i parë te Kënga Magjike e këtij viti, ku Aurela interpretoi “Pa kontroll” me Young Zerka-n, tregoi që e vlerësojnë edhe kolegët.

Dhe pse nuk ka dhënë ndonjë shfaqje në skenat shqiptare këtë vit, arti i tij në skenat botërore i ka dhënë shumë Shqipërisë. Të duhet kohë për të numëruar operat dhe koncertet e Saimirit gjatë këtij viti, aq shumë janë. E ka filluar me operën “Rigoletto” në Zyrih, që e ka luajtur më pas në shtator edhe në Londër, pastaj ka kapërcyer oqeanin për “Lucia di Lammermoor” në Los Angeles, pastaj përsëri në Evropë dhe përsëri në SHBA. Në “La Traviata”, Alfredo, te “Don Giovani”, Duka i Mantovës, te “La Boheme”, Rodolfo… Itali, Zvicër, Angli, Spanjë, Chicago, San Francisco, Los Angeles, pothuajse çdo muaj të vitit ka pasur një shfaqje të madhe në një nga këto vende. Pas Traviatës në Vjenë me Ermonela Jahon, po e mbyll vitin operistik në Berlin me “L’elisir d’amore” që pas datës 22 do shfaqet edhe në 31 dhjetor. Edhe këtë vit Saimir Pirgu ka mbështetur kauzën e personave me sindromën Down në Shqipëri.
