Ca kopertina mund të harrohen sa i shikon, por ka dhe të tjera që të ngelen në mendje gati njëlloj si historia që mbajnë brenda. Kjo ndodh dhe me librat që prezantohen me një foto të Edvina Metës: ngjyra të forta, një detaj që tërheq vëmendjen, një gjendje, një mesazh që ndonjëherë kërkon kohë për t’u përcjellë, ndoshta derisa libri të mbarojë…Janë këto çfarë marrim ne, por dhe ato me të cilat Edvina jep idenë e saj për librin. “Kjo lloj fotografie më jep mundësinë të shpreh si e perceptoj librin dhe është një nga punët që kam më për zemër”- thotë ajo. Ka realizuar 14 kopertina me shtëpi të ndryshme botuese të cilat kanë zgjedhur fotografitë enkas, në vend të një dizajni grafik apo fotove të internetit. “Kam bashkëpunime të ndryshme, por “Dudaj” është bashkëpunëtori im kryesor. Me botuesen Arlinda Dudaj kam mendime të njëjta dhe ajo më lë të lirë të krijoj. Kjo ndihmon që të kemi një bashkëpunim frytdhënës”.
Disa prej kopertinave si “Lolita” e Vladimir Nabokov-it, apo “Ankimi i Portnout” i Philip Roth-it, kanë shfrytëzuar foto të realizuara më parë të cilat kanë pasur diçka të përbashkët me librin, por shumica janë realizuar enkas dhe janë pikërisht këto raste kur fotografja merr kënaqësinë maksimale të të gjithë procesit nga fillimi në fund. Sepse puna në të vërtetë zgjat më shumë sesa mund të imagjinohet, duke qenë që fillon që kur librat janë ende në planet e shtëpisë botuese. “Botuesja më jep një listë titujsh për librat që do botohen, prej tyre unë përzgjedh ato që mund të realizohen në fotografi, pasi një përqindje duan një kopertinë design. Më pas i lexoj në versionin anglisht ose ndodh që i kam lexuar paraprakisht dhe nis konceptimin e një imazhi i cili përfaqëson gjithë librin.” Është pikërisht faza e konceptimit që merr më shumë kohë, ndërsa me ta pasur të qartë figurën, i duhet vetëm një apo dy ditë ta realizojë. “Vetëm po të duhen objekte specifike ose të krijuara në shërbim të librit, mund të më duhet një javë sa të organizoj gjithçka.” Pastaj duhet të komunikohet me botuesit dhe shkrimtaret. “Në momentin që kam fotografinë i ofroj disa versione botueses dhe ajo vendos atë që i përshtatet me imazhin që ka për librin. Ka raste që duhet dhe konfirmimi i autorit të librit. Përgjithësisht kam marrë dritë jeshile në këtë fazë. Kemi marrë shumë përgjigje pozitive dhe pëlqime nga autorë shqipëtar dhe të huaj.”
Ndonjëherë i duket sikur nuk i ka thënë dot të gjitha me një foto dhe në ato raste shfrytëzohet edhe kopertina e pasme për një foto tjetër. Për sa i përket stilit, Edvina preferon foto jo të zhurmshme, me një detaj ose me ngjyra të forta që tërheqin. “Rregulli kryesor është të nxisësh kureshtjen e lexuesëve, por pa zbuluar shumë, gjithmonë duke u mbështetur te elemente të librit”. Prandaj ndonjëherë duhet ta lexosh romanin, për të kuptuar fotografinë që ai mban përsipër, për të kuptuar pse fotografja ka zgjedhur pikërisht atë subjekt, atë kompozim, atë dritë e ato ngjyra… por edhe pa e lexuar, te një libër i tillë dallon që në kopertinë që ka diçka më shumë sesa të tjerët.















