Të shtunën, 11 qershor 2016, ora 18:00 në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër organizohet ceremonia e dhurimit të koleksionit të  fotografit Pirro Mosi.

Ai është sot 90 vjeç, jeton në Boston të Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe mendohet që arkiva e tij të ketë qënë një prej më të konsiderueshme në vend, por që pas trazirave të vitit 1997 pjesa më e madhe e saj u dogj. Ndonëse kjo është një ngjarje e trishtë për fotografinë shqiptare, ai dhuron arkivin e tij të mbetur, duke u njësur përgjithmonë me atërit e fotografisë shqiptare.

Në vetëm dy vite arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u pasurua me 6.475 fotografi të tjera, pjesë e arkivit u bënë koleksionet e Mehmet dhe Osman Kallfës me 2272 fotografi dhe Pirro Mosit me 4203 fotografi, pjesë e të cilave disa dhe me ngjyra.

Pas inventarit të fundit të kryer më 31 dhjetor 2013, arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” rezultoi të ketë në arkivin e tij 493.819 fotografi në xham, plan dhe rul film. Për herë të parë pas 159 vitesh histori fotografie, me dy koleksionet e shtuara së fundi, numri prej 493.819 bëhet 500.294, më shumë se gjysmë milion fotografi.

Pirro Mosi, lindi në 1.08.1927 në Shkodër në familjen e patriotit Hilë Mosi dhe u largua nga Shkodra në moshën 7 vjeçare atëherë kur i ati i tij ai u caktua në një detyrë tjetër në Postën e Tiranës, Elbasanit e për tu vendosur më pas në atë të Sarandës. Me një aktivitet mbi 40 vjeçar, Pirro Mosi është fotografi më i njohur i Sarandës dhe arkivi i tij konsiderohet një pasuri e veçantë për fotografinë shqiptare.