Aktorja e njohur turke, Tuba Buyukustun, është vënë sërish në qendër të mediave kohët e fundit. Martesa 6-vjeçare me Onur Saylak, siç u mësua, mori fund më 5 qershor, por ajo që i ndodhi më pas nuk ishte edhe aq e këndshme. Vetëm disa javë pas divorcit zyrtar, i përfoluri si i dashuri i aktores është arrestuar pas akuzave se, bashkë me truprojat e tij, i kanë marrë aparatin fotografik një gazetari nën kërcënimin e armëve.

Gazetari i “Hurriyet”-it kishte fotografuar biznesmenin me aktoren në parkun Emirgan në Stamboll, por sapo është vënë re nga truprojat, është ndjekur dhe i është marrë me dhunë aparati fotografik. Umut Evirgen me dy truprojat u arrestuan dhe prokuroria ka shpallur si masë arresti një dënim që shkon deri në 15 vite burg.

Përtej këtij skandali në të cilin duket se Tuba është përfshirë pa dashje, një tjetër zbulim është vënë re nga mediat turke. Pavarësisht se kishin kohë që jetonin të ndarë, Tuba dhe Onur i kishin mohuar lajmet se martesa e tyre ishte në krizë. Por duket që aktorja 34-vjeçare, njohjet me biznesmenin Umut Evirgen i ka pasur të hershme, madje edhe në profilin e saj, një foto të Evirgen ajo e ka pëlqyer qysh në datën 3 mars – atëherë kur aktorja vazhdonte të ishte e martuar.

Komentet nga fansat e aktores nuk kanë munguar në rrjetet sociale, madje shumë prej tyre vazhdojnë të besojnë se Tuba nuk ka asnjë lidhje me historinë e Evirgen, përkundrazi është ndodhur në vendin e gabuar dhe me personat e gabuar.

Megjithatë, pëlqimi i fotos nga Tuba është një detaj më shumë që i bën konfuzë të gjithë për njohjen e aktores me producentin. Mos ishte tradhtia arsyeja e divorcit të saj?