Me fillimin e sezonit të ri, ndryshimet në ekranet televizive kanë qenë të mëdha. Shumë figura të njohura kanë lëvizur, duke ndryshuar format apo edhe duke u larguar për një profesion tjetër. Ndërkohë që, si çdo sezon, edhe ky ka sjellë risi në një nga programet denoncuese, “Stop”, me dy velina të reja. “Stop” ka rinisur me ndryshime. Siç ishte lajmëruar më herët, dy velinat që do të shoqërojnë Saimirin dhe Gentin nuk do të jenë më Alba dhe Ensa, balerinat e trupës së baletit në Tv Klan, por dy “kaptere” të reja të anijes së “Stop”-it.
Pak para se të fillonte programi, Saimiri dhe Genti kanë prezantuar dy velinat që do t’i shoqërojnë gjatë sezonit të ri - Alesia Bami dhe Onelda Shkjau.

Alesia njihet si një nga modelet më të bukura të Shqipërisë, e kemi parë shpesh të shfaqet në foto në evente të ndryshme mes modeleve të tjera. Si gjithnjë provokuese, Alesia, kësaj radhe do të jetë pjesë e programit të ndjekur të darkës.
Ndërkohë që bukuroshja tjetër bionde, Onelda Shkjau, është një figurë e re për ekranin, që promovohet për herë të parë nëpërmjet këtij formati televiziv.
Burime për GSH kanë thënë se velinat e emisionit që transmetohet çdo mbrëmje në Klan Tv paguhen jo më pak se 600 euro.
Një shifër e tillë nuk mund diskutohet në formatin konkurrent të “Stop”, “Fiks Fare”. Burimet e gazetës thanë se pagesa e velinave këtu arrin në 400 euro. Një diferencë e tillë mendohet se mund të jetë edhe arsyeja e largimit të velianve të para.
Gjithsesi, shifrat mbeten jo të konfirmuara zyrtarisht, ashtu si edhe arsyet e largimit dhe zëvendësimit. Risi, këtë sezon në Fiks janë pikërisht velinat që thyen "rregullin" - nga njëra bionde dhe tjetra brune, këtë vit janë të dyja brune dhe shumë të ngjashme me njëra-tjetrën.