Sapo janë larguar nga spektakli i humorit “Portokalli”, Bes Kallaku dhe Erion Isai kanë nisur disa projekte të reja artistike. Shfaqjet private, por edhe pjesëmarrjet në koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, nuk kanë qenë të pakta për dy miqtë e vjetër. Por edhe me publikun që i ndjek nga ekrani nuk do të jenë më larg.
Sot, Erioni dhe Besi kanë qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”, në “E diela shqiptare”. Erioni ishte iniciatori i surprizës. Ai e kishte ftuar Besin për t’i kërkuar ta bënte edhe atë bashkëpronar për biznesin e tij të ri që ka blerë së fundi në kryeqytet.
Pjesë e kësaj kërkese u bë edhe Arditi, i cili kërkoi gjithashtu 25 për qind të aksioneve. Pasi Besi pranoi pa hezitim, Arditi zbuloi se dy aktorët e njohur të humorit do të jenë bashkë me të në drejtimin e Këngës Magjike 2017.
Dhe bashkë me ta, natyrisht do të ketë edhe personazheve femërore: ky ishte edhe kushti që kishte vendosur Besi paraprakisht, nëse do të ishte pjesë e prezantimit të Këngës Magjike. Kështu tha Arditi duke e lënë me kaq surprizën. Emrat e partnereve mbeten ende surprizë.