I jepet lamtumira e fundit regjisorit, dramaturgut, publicistit, Mihal Luarasi, një nga figurat më të shquara të teatrit shqiptar që u nda dje nga jeta në moshën 88 vjeç.

Ai lindi në 16 shtator të vitit 1928 në Korçë dhe studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budabest të Hungarisë.

Teatri Kombëtar që ka hapur dyert për homazhet e fundit për regjisorin që do të zhvillohen nga mesdita në orën 14.00, ka shpërndarë për publikun dhe një biografi të shkurtër të jetës dhe veprave të regjisorit të madh.

Vepra e parë që ngjiti në skenë ishte tragjedia e Shilerit "Intrigë dhe dashuri" e cila kori një sukses të jashtëzakonshëm duke qëndruar në repertor të Teatrit për shtatë vjetë dhe u luajt pothuajse 300 herë.

Shfaqjet e ngjitura në skenën e Teatrit Kombëtar janë: "Dragoi i Dragobisë", "Dhelpra dhe rrushtë" (fituese e te gjitha çmimeve te para në Festivalin II kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, "Banorët e shkallës nr. 6", "Rrugë të tërthorta", "Një dashuri e tille".

Ne dhjetor 1990 do të largohet në Hungari dhe  më 1992, do të ngjitë në skenë në Budapest dramën e Rexhep Qosjes "Vdekja e një mbretëreshe".

Më 1995 ftohet nga Teatri Kombëtar në Tiranë dhe vë në skenë dramën "Hekurat" të dramaturgut hungarez Göncz Arpad. Mihal Luarasi ishte regjisor i disa spektakleve te mëdha në Teatrin e Operas e dhe Baletit, si "Karmen", "La traviata", "Pranvera", "Opera për tre grosh", etj.

Gjate qëndrimit ne Hungari, ka botuar një serë shkrimesh mbi teatrin në shtypin hungarez dhe atë shqiptar. Në vitin 2003 u botua libri i tij "Teatri Kombëtar në udhëkryq" dhe pas dy vjetësh libri i dyte me shkrime mbi teatrin dhe arte të tjera "Kujtesa që nuk flë". Ne vitin 2001 Luarasi shkruan dramën "Gomone" që u vu në skenë në TK, në 2003, nga regjisori Gezim Kame. Në këtë vit ai kthehet përfundimisht nga Hungaria dhe vë në skenë në TK dramën e Ruzhdi Pulahes "Streha e të harruarve" në 60 vjetorin e Teatrit Kombëtar.

Regjisori i shquar ishte i martuar me aktoren e njohur shqiptare, Edi Luarasi.

Shfaqjet e tij, mbyll njoftimin e tij TK, do të mbeten të paharruara për publikun falë nivelit të lartë artistik dhe trajtimit regjisorial. Guximi dhe origjinaliteti i tij do ta  ngjisin në radhët e regjisorëve shqiptarë që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e teatrit dhe do të kujtohet nga brezat që do të vijnë për kontributin e vyer.