Ka ndërruar jetë në Ankara në moshën 91-vjeçare, shkrimtari i njohur Kasëm Trebeshina.

Trupi i shkrimtarit ka mbërritur këtë të martë në atdhe dhe është varrosur në mesditë në heshtje të plotë, pasi kjo ishte dëshira e familjarëve. Kasëm Trebeshina u bë i njohur si shkrimtar në vitet ’50 dhe veprat e tij kishin një frymë ndryshe nga ajo çfarë ishte botuar në atë kohë. Ai u shqua për rebelizmin e hapur politik, madje siç pohojnë disa studiues, ka bërë burg pasi doli kundër regjimit komunist duke shkruar një “Promemorie” për Enver Hoxhën në vitin 1953, në të cilën denonconte vendosjen e pushtetit "njëdorësh" në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist.

"Stina e stinëve", është vepra më përfaqësuese e atyre që janë botuar deri më sot nga Kasëm Trebeshina, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: "Stina e stinëve", "Odin Mondvalsen" dhe "Fshati mbi shtatë kodrina" apo "Kapriçio shqiptare".

Novela e parë dhe e tretë bëjnë objekt fëmijërinë, në një rrëfim jashtë tabuve që zakonisht identifikohen me këtë moshë (Stina e stinëve) dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë fëmijërinë (Fshati mbi shtatë kodra), novela tjetër, "Odin Mondvalsen" përbën një cilësi të veçantë përsa i përket objektit të pasqyrimit, por edhe për nga teknikat e rrëfimit.

Lista e veprave

Kruja e çliruar, 1953
Artani dhe Min'ja, 1961
Stina e Stinëve, 1991
Legjenda e asaj që iku, 1992
Qezari niset për luftë, 1993
Koha tani, vendi këtu, 1992
Rruga e Golgotës, 1993
Mekami, melodi turke, 1994
Lirika dhe satira, 1994
Historia e atyre që s'janë, 1994
Ëndrra dhe hije, 1996
Hijet e shekujve", 1996
Nata para apokalipsit, 1998
Ku bie Iliria, 2000
Kënga Shqiptare, 1-5, 2001
Më përtej kohërave, 2004
Drama, 2006
Polimnia dhe Melpomena, 1-2, 2006
Tregtari i skeleteve, 2006
Këngë për Kosovën, 2007
Shtigjet e shekujve, 2007
Një ditë në natën pa fund (Dafinat e thara), 2016