Të dy veç e veç publiku i vogël e i madh i mban mend. Që kur ishte vetëm 12-vjeçare në Gjeniun e Vogël, Olta Boka spikati me zërin origjinal dhe me interpretimin e veçantë, derisa vitet më vonë treguan se këngëtarja do të ishte pjesë e skenave të festivaleve, madje edhe do të na përfaqësonte në Eurovision. Ndërsa Stivi, 3 vite e gjysmë më i vogël se e motra, mori pjesë vetëm një vit më vonë në të njëjtin spektakël si e motra, Gjeniu i Vogël 2. Edhe ai spikati gjithashtu si një prej zërave më të mirë, madje edhe në X Factor, ca vite më vonë.

Sot, pavarësisht se Olta nuk ishte nisur për të zgjedhur muzikën, madje as nuk studioi muzikë, ishte pikërisht rruga e të atit, Reshit Boka, ajo që do të trashëgonte dhe pas saj, edhe i vëllai, Stivi.

Derisa erdhën në një klip dhe një duet së bashku. Stivi dhe Olta sapo kanë prezantuar këngën “Atij, asaj”, një baladë dashurie që motër e vëlla ua kushtojnë të dy gjinive.

Të ftuar të dy pasditen e sotme në “Rudina”, Olta dhe Stivi kanë rrëfyer më shumë si erdhën në këtë projekt të përbashkët, i cili, më shumë sesa produksioni, këtë herë ka vlerë të madhe emotive. Këtë e treguan të dy ndërsa rrëfyen edhe detaje nga projekti i nisur dy vjet më parë: “Kjo këngë ka një vlerë emocionale shumë të lartë. Për shumë arsye kënga u vonua, por jam shumë e lumtur që më në fund e realizuam”, – tregon Olta. Ndërsa Stivi, student i muzikën klasike në Universitetin e Arteve, kujton se pothuaj dy vjet më parë, sapo e kishte dëgjuar këngën, e kishte pëlqyer: “Kënga është punuar nga Irkenc Hyka. Sapo e çoj në shtëpi dhe ia tregoj Oltës, ajo tha se kjo është këngë për ne të dy.”

Megjithëse mbeti për shumë kohë në sirtar, më në fund është rezultati që të dy kishin pritur. Gjatë xhirimeve, natyrisht kanë pasur edhe peripeci, siç ndodh gjithmonë në kësi rastesh. Ata me humor tregojnë edhe problemet që hasnin, por asgjë nuk kishte rëndësi para faktit që vëlla e motër kanë një kujtim të bukur për të gjithë jetën e tyre.

Një këngë që dëshmon për marrëdhënien e tyre të ngushtë, për dëshirën dhe pasionin për muzikën, por është edhe një këngë për t’i bërë krenarë prindërit e tyre.