Kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga debutimi i saj me “Rrugë” në Festivalin e RTSH-së në vitin 1995. Skena në të cilën Fitnete Tuda u prezantua e mirëpriti sërish edhe një vit më vonë me një tjetër hit “Shi bie në Tiranë”, ndërsa dy vjet më vonë, 1998, ajo fitoi çmimin si kantautorja më e mirë e festivalit – një çmim shumë i rëndësishëm për të.
Por rrugëtimi muzikor nuk zgjati shumë. Megjithatë, edhe ato pak prodhime muzikore që artistja nga Maqedonia kishte prezantuar për publikun shqiptar ishin të mjaftueshme për të lënë gjurmë. Të gjithë dëgjohen edhe sot, madje kënga e saj “Shi bie në Tiranë” sapo është risjellë në duet nga Eni Koçi dhe Genc Prelvukaj në një version të ri dhe po aq të pëlqyer.
Kjo largësi nga muzika, në të vërtetë nuk ka qenë kaq e madhe sa u është dukur të gjithëve. Prej vitesh, Fitnetnja merret me muzikë, ushqehet me muzikë, madje edhe kompozon muzikë për fëmijë.
E ftuar sot në “Rudina”, Tuda ndau me publikun disa prej kujtimeve që nga koha kur ka kënduar në skenën e festivalit të madh, por zbuloi edhe detaje të tjera nga jeta e saj private.
Prej vitesh, ajo punon si gazetare kulture në televizionin e Kosovës, por puna si gazetare nuk e ka ndarë me muzikën, përkundrazi. Këtë vit ajo ka në plan të rikthehet me një projekt të ri për të cilin ka nisur punën.
Por zbuloi për publikun edhe familjen e saj. Prej vitesh, Fitnetja dhe bashkëshorti i saj Visari ndajnë të njëjtin profesion, por janë të qetë, sepse askush prej tyre nuk merret me politikë: “Me Visarin jemi njohur në televizionin e Kosovës. Ai është gazetar i sportit, unë e kulturës. Kemi qenë miq shumë të mirë. Visari ka plot humor. Në fillim unë i thosha “lum ajo që do të të marrë” për sensing e humorit që kishte, por kurrsesi nuk e dija se do të isha unë ajo që do e kisha këtë fat”, - rrëfen Fitnetja duke qeshur.
Shumë pak e dinë, por këngëtarja dhe bashkëshorti kanë disa vite diferencë në moshë. AJo nuk e thotë sa, sepse për të kjo nuk është fare me rëndësi. Askush prej tyre nuk e ka pasur problem këtë pjesë, sepse nuk e bëjnë më të pjekur dikë disa vite më pak apo më shumë: “Kemi një diferencë në moshë, por nuk na kanë bërë përshtypje. Ne kalojmë shumë mirë, kemi dy engjëj bashkë, Dua 11-vjeçare dhe Doni, të cilët na bëjnë shumë të lumtur”, – shton këngëtarja.
Duas dhe Donit u pëlqen shumë muzika. Dua vazhdon, madje, shkollën e muzikës dhe Fitnetja ka dëshirë, që pse jo, t’i ngjajë Dua Lipës, këngëtares shqiptare që vazhdon të na bëjë krenarë të gjithëve. Ka qenë rastësi që edhe e bija mban emrin e këngëtares së njohur, madje ato janë takuar shumë vite më parë, kur Dua Lipa ende nuk njihej. Në një të ardhme, pse jo, një duet Duash do të ishte diçka vërtet e bukur.