Ikën një indian, vjen një tjetër. Po aq i bukur, po aq i ndjekur. “Si ta quaj këtë dashuri”, pasditen e sotme mbylli rrugëtimin në ekranin e Tv Klan me serinë finale. Prej thuajse një viti, që nga prilli i vitit 2017, një histori e gjatë dashurie ka mbledhur pranë ekranit një publik të gjerë, që ka ndjekur me kureshtje çdo puntatë. Deri sot, kur historia mori fund.

Drejtori i Programacionit të Tv Klan, Albert Dumani, pak para transmetimit të “Si ta quaj këtë dashuri” në Tv Klan, ishte i ftuar te “Rudina” për të rrëfyer çfarë do të ndodhte në serinë e fundit.

Në qendër të serialit është historia e dashurisë së Kushit, e cila është një vajzë e thjeshtë dhe e ëmbël që beson tek dashuria e vërtetë dhe rregullat e mirësjelljes dhe Arnavit, i cili është i pasur dhe mendon se gjithçka dhe çdo gjë e ka një çmim, madje mund të blejë edhe dashurinë. Pas skenave të ndryshme, dramës, dashurisë, urrejtjes, intrigave e dashurisë së vërtetë, duket se kjo e fundit triumfon”,- tha Dumani.

Por çfarë do të ndodhë nesër pas kësaj finaleje? I gjithë publiku i apasionuar me serialet indiane, duke filluar nga data 20 shkurt, do të kenë mundësi të ndjekë një dramë tjetër shumë interesante, e cila është gjithashtu një prej më të ndjekurave në Indi dhe në të gjitha vendet ku është shitur.

Siç tregoi Berti, intrigat në këtë serial të krijohen brenda një perandorie të vërtetë dhe mes tre vëllezërve më të pasur dhe më të kërkuar të Indisë: “Është një serial shumë modern, aktual. Ka në qendër historinë e tre vëllezërve shumë të pasur - tre beqarët më të kërkuar në Indi. Njihen si Mendja, Shpirti dhe Trupi. Njëri nga vëllezërit është koka e biznesit, i dyti është më i prirur drejt artit, ndërsa i treti e ka mendjen te festat dhe qejfet. I gjithë seriali shtrihet në një perandori të madhe biznesi, aty ku do të zhvillohen të gjitha ngjarjet”, – rrëfen Berti pa zbuluar më shumë detaje.

Me sa duket, edhe këtë herë, pasditja e Tv Klan do t’i ketë besnike zonjat e shtëpisë, për të nisur një rrugëtim tjetër ëndërrimtar drejt Indisë.