
Raporti i tyre shkon përtej profilit publik që ata kanë si dy prej personazheve më të dashur për publikun shqiptar. Më shumë se sa bashkëpunëtorë, ata janë miq të ngushtë me njëri-tjetrin dhe ky është fakt. Ermal Mamaqi e quan shpesh motër Elvanën dhe këtë gjë nuk ka ngurruar që ta shpreh edhe publikisht.

Pas rikthimit nga pushimet e përbashkëta, jashtë Shqipërisë dhe në një destinacion fantastik siç është Riviera Franceze, Elvana Gjata dhe Ermal Mamaqi me Amin shijuan disa ditë të qeta larg angazhimeve profesionale,në muzikë apo në televizion dhe biznes. Por, ndoshta nuk kanë qenë edhe aq pushime të mirfillta, pasi me siguri ata kanë marrë kohën e duhur për të biseduar më shtruar për projektin e tyre të ri. Nuk është këngë, as ndonjë emision, por një film komedi me metrazh të gjatë.

Sipas gazetës Express, Elvana dhe Ermali do të sjellin së shpejti filmin "Dy gisht mjalt", një produksion kinematografik për të cilin tashmë kanë nisur xhirimet në jug të Shqipërisë. Ndërkohë, kasti tjetër shoqërues i aktorëve protagonistë, mësohen të jenë emra të njohur të teatrit dhe filmit, si Bujar Asqeriu, Olta Daku, Marjana Kondi si dhe një rikthim në skenë të aktorit të njohur Koco Devole, pas disa vitesh mungese.
Nuk dihet ende nëse filmi do të shfaqet në kinema apo në televizion, por një gjë është e sigurt: ky produksion pritet me padurim nga fansat e shumtë të Elvanës dhe Ermalit!
